Berisha akuzon Rusinë e Serbinë për zvarritjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës
Pëlqej
Albeu.com
Kryeministri shqiptar Sali Berisha u tregua i vendosur sot në mbështetjen e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës, sipas planit të presidentit Martti Ahtisaari, kërkoi zgjidhje të shpejtë të statusit, nuk e gjykoi të mirë zgjatjen e mëtejshme të negociatave dhe u përfshi në debat për Kosovën.
Kryeministri Sali Berisha theksoi mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe ngarkon me përgjegjësi Rusinë dhe Serbinë për zvarritjen e zgjidhjes së statusit.
Kryeministri Sali Berisha u tregua i vendosur sot në mbështetjen e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës, sipas planit të presidentit Martti Ahtisaari, kërkoi zgjidhje të shpejtë të statusit, nuk e gjykoi të mirë zgjatjen e mëtejshme të negociatave dhe u përfshi në debat për Kosovën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Bozhidar Xheliq.

Deklaratat u bënë gjatë takimit të kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore që po mbahet në kryeqendrën e Bullgarisë, Sofje.

Kryeministria në Tiranë, tha se Sali Berisha, u shpreh qartë dhe hapur se Shqipëria mbështet përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe propozimin e Presidentit Martti Ahtisaari, si zgjidhja më e mirë për Kosovën.

Kryeministri tha se plani i Ahtisaarit, siguron standardet më të larta për pakicat dhe respekton vullnetin e shumicës së popullsisë në Kosovë për pavarësi, kusht themelor për paqë e qëndrueshmëri rajonale.

Zoti Berisha ngarkoi me përgjegjësi Rusinë për bllokimin e projektit Ahtisaari, si dhe Beogradin, i cili sipas tij me mungesën e realizmit po i imponon udhëheqjes së Kosovës të vetmin opsion të mbetur, rrugën e njohjes bilaterale të pavarësisë.

“Refuzimi i Serbisë për projektin e Presidentit Ahtisaari përbën në vetvete një bllokim të procesit të paqës në rajon, për të cilin edhe vete Serbia ka shumë nevojë. Kundërshtimi nga Rusia i këtij projekti dhe mundësia e bllokimit në Këshilli të Sigurimit, nga ana e saj, kanë krijuar një rreth vicioz, i cili largon Serbinë nga qëndrimet realiste, ruan status quo-në e padobishme, kërcënon stabilitetin. Ky rreth vicioz duhet të ndërpritet sa më parë. Mungesa e realizmit të Beogradit ka bllokuar
perspektivën e një zgjidhjeje të pranuar nga të dy palët dhe po i imponon udhëheqjes së Kosovës të vetmin opsion të mbetur - rrugën e njohjes bilaterale të pavarësisë së vendit të tyre”, ka thënë Berisha.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se Shqipëria i nxit udhëheqësit e Kosovës për të marrë vendime të njëanshme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me ndërkombëtarët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, vendet e Grupit të Kontaktit që pranojnë planin e Ahtisaarit, për të bashkërenduar hapat pas 10 dhjetorit, kur përfundojnë bisedimet shtesë - 120 ditore.

Zoti Berisha tha se Shqipëria është e shqetësuar sepse, sipas tij, “blerja e kohës dhe vazhdimi i zgjatur e i pafrytshëm i debatit për statusin e Kosovës mund të shërbejë si një terren për radikalizëm dhe rreziqe” dhe se “zgjatja e mëtejshme e zgjidhjes së statusit do të sillte rreziqe të paparashikueshme dhe do të vinte në dyshim të gjitha arritjet e bëra në Kosovë”. Qëndrimet e
kryeministrit Berisha, u kundërshtuan nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Xheliq, i cili debatoi. Ai i quajti deklaratat e kryeministrit Berisha “ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë”.

Po ashtu burimet thanë se delegacioni serb u largua nga takimi pas fjalës së kryeministrit Berisha. /d. ndrenika-rtk/
Shtuar më 27/11/2007, ora 21:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori