Bëri vaksinën anti-covid live, Rama zbulon nëse kishte apo jo efekte anësore
Kryeministri Edi Rama thotë se vaksinat e mbërritura më 11 janar në Rinas, erdhën nga një vend i Bashkimit Evropian.

Ai nuk pranoi të thoshte vendin për shkak të konfidencialitetit në këtë fazë.

"Nuk di të ketë ndonjë dorë aq të gjatë matanë Shqipërisë sa të shtrijë dorën deri në Shqipëri. Vaksinat kanë ardhur si kudo. Kanë qenë të shoqëruara nga një njësi speciale sigurie dhe janë marrë në dorë nga autoritetet tona. Nga pikëpamja e logjistikës, vaksinat kanë ardhur njësoj si në çdo vend të botës.

Vaksina nga ardhur nga një vend i Bashkimit Evropian sepse na është kërkuar konfidencialitet i plotë nga ai vend. Kjo ka qenë një dhuratë për Shqipërinë të cilën unë e kam kërkuar si lypësi më i dalluar për themi nga të gjithë ata që e kanë kërkuar. Në një kohë të dytë me siguri do të mund të thuhet dhe do të bëj falënderimet përkatëse"– tha Rama në “Open”.

Rama tha se nuk kishte pasur asnjë shqetësim pas marrjes së vaksinës.

"Asnjë shqetësim, asnjë shenjë, asgjë fare pas vaksinimit. Teorikisht nuk ekziston më frika, por unë gjithsesi vazhdoj të mbaj maskën sapo dal nga shtëpia dhe deri kur kthehem. Vaksinimi është shumë i rëndësishëm, pasi kushdo që vaksinohet nuk është më hallkë e përhapjes së virusit", tha Rama.
Shtuar më 14/01/2021, ora 21:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori