Beqaj: Nënshkrimi elektronik, lehtësim për mjekët dhe pacientët
Nënshkrimi elektronik është një tjetër hap tejet i rëndësishëm drejt Shëndetësisë Elektronike. Prezantimi i tij u bë këtë herë para mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të sistemit të kujdesit Parësor shëndetësor të Tiranës, ku ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, si dhe Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito.

Në fjalën e tij, z. Beqaj tha se nënshkrimi elektronik është një pjesë e rëndësishme e programit të Shëndetësisë Elektronike, teksa shtoi se të gjitha projektet që janë zbatuar deri më tani, ato që po zbatohen, si dhe ato që do të zbatohen së afërmi dhe që lidhen me “e-Health”, kanë një vlerë prej 36 milionë euro.

“Ajo që prezantojmë sot është një pjesë e të gjithë puzzle-it të shëndetësisë elektronike që duam të krijojmë. Praktikisht, duhet të kemi parasysh që kemi zbatuar, po zbatojmë dhe kemi të alokuara fonde për të zbatuar së afërmi projekte që lidhen me “e-Health”-in që janë 36 milionë euro”, deklaroi z.Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, theksoi se përdorimi sa më efektiv i teknologjisë është, në radhë të parë lehtësim për punën për punën e mjekut, rrit cilësinë, si dhe shmang burokracitë e tepërta, duke ulur kohën e pritjes për pacientët.

“Është shumë e rëndësishme që t’i shfrytëzojmë sa më mirë, në radhë të parë për të lehtësuar punën tuaj, për të rritur cilësinë e punës tuaj, dhe besojmë se, gradualisht, do të lehtësojmë edhe kujdesin shëndetësor që ofrojmë ndaj pacientëve, sidomos në uljen e kohës së pritjes, radhëve të pritjes dhe barrës administrative”, nënvizoi z. Beqaj.

Nga ana e saj, Ministrja Harito theksoi se, “Sistemi shëndetësor është një nga sistemet pararojë në modernizimin nëpërmjet teknologjisë,” duke shtuar se, “ju jeni të gjithë dëshmitarë për këtë, dhe mjafton të përmendim një shembull që është Karta e Shëndetit.” Zj. Harito solli në vëmendje të të pranishmëve se “përpara një viti ishte një problem i madh fiks në këtë periudhë, me rradha të gjata, me sportele, me njerëz që duhet të ktheheshin disa herë, dhe brenda pak javësh, falë gjithë infrastrukturës ekzistuese, u arrit që Karta e Shëndetit, thjesht, të printohej nga portali “e-Albania” me një click”.

“Që në krye të herës, Maxhoranca jonë dhe Kryeministri e ka patur në vëmendje modernizimin e shtetit nëpërmjet infrastrukturës dixhitale”, u shpreh më tej zj. Harito, teksa theksoi se, “prova për këtë është që kemi hedhur në këto 3 vjet pothuajse 100 milion Euro për sisteme infrastrukturore dixhitale në të gjithë shtetin në nivel lokal dhe në nivel qendror”.
Shtuar më 09/02/2017, ora 09:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori