Beqaj: Kontroll i rreptë mbi subjektet ushqimore dhe pishinat
Inspektimi i subjekteve që tregtojnë ushqime, pishinave por edhe mënyra e shkarkimit të ujërave të zeza nga subjektet pranë vijës bregdetare do të jenë detyrat kryesore për të gjithë inspektorët shëndetësorë në të gjithë vendin.

Ky ka qenë urdhri që ka komunikuar Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për 12 kryeinspektorë të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror gjatë një takimi të zhvilluar në prag të çeljes së sezonit turistik për këtë vit.

Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar një vëmendje maksimale ndaj atyre shërbimeve apo subjekteve të cilat në shumë raste bëhen shkak për problematika shëndetësore të turistëve.

“Tre çështje kryesore duhet të jenë fokusi kryesor i punës gjatë sezonit turistik veror: inspektimi i kushteve higjieno-sanitare të subjekteve që prodhojnë dhe shërbejnë produkte ushqimore, inspektimi i pishinave, si dhe inspektimi i mënyrës së shkarkimit të ujërave të zeza, të subjekteve që ndodhen afër vijës bregdetare për ato qytete që kanë vijë bregdetare, ka pohuar gjatë fjalës së tij kreu i shëndetësisë.

Po kështu, Ministri Beqaj theksoi se: "Inspektorët shëndetësor duhet të jenë komunikativ dhe jo supresiv. Inspektimi shëndetësor me korrektësi është në funksion qoftë të shëndetit të qytetarëve, qoftë në funksion të konkurrencës së ndershme. Fokusi i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor duhet të jetë marrja e masave ndaj bizneseve të cilat rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe jo prirja për të rendur drejt marrjes së masave administrative në vlera monetare, si qëllim në vetvete”.

Nga ana tjetër, kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, dr. Eltar Deda, ka pohuar se gjatë periudhës prill-maj janë realizuar inspektime përpara sezonit turistik në të gjitha subjektet që u ofrojnë shërbime qytetarëve, të cilat janë edhe më të frekuentuara gjatë sezonit turistik veror. Inspektime, të cilat, do të vazhdojnë dhe gjatë sezonit turistik veror.

Gjatë takimit, kryeinspektorëve iu kërkua edhe bashkëpunimi ndërinstitucional me institucionet e tjera në rastet e ngjarjeve emergjente dhe në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Bashkëpunim i veçantë u kërkua me Drejtorinë e Tatimeve për evidentimin fizik të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e interesit të ISHSH si dhe Pushtetin Vendor për rregullimin, kontrollin dhe evidentimin e mënyrës së shkarkimit të ujërave të zeza në zonat bregdetare.

Po kështu me përfundimin e vitit kalendarik arsimor duhet të kryhet dhe njoftimi i pushtetit vendor për rezultatet e inspektimeve në institucionet arsimore shtetërore në mënyrë që te merren të gjitha masat e nevojshme për fillimin e vitit të ri akademik në shtator. /albeu.com/
Shtuar më 09/06/2016, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori