Beqaj apel ndaj bluzave të bardha për t'u vaksinuar
Për të tretin vit radhazi, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur vaksinimin e personelit shëndetësor me vaksinat kundër gripit.

Kjo fushatë ka nisur nga qyteti i Kukësit, ku i pranishëm ka qenë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, si dhe Shefja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive pranë ISHP, Prof. Asoc. Dr. Silva Bino.

Kreu i shëndetësisë ka bërë me dije se vaksinimi do të kryhet tek të gjitha bluzat e bardha, të cilat janë në kontakt të drejtpërdrejtë me popullatën, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre, por edhe të pacientëve të tjerë që paraqiten pranë institucioneve shëndetësore.

“Në shëndetësi, risku më i madh vjen nga faktorët biologjikë, dhe për këtë arsye, ne si ministri bëjmë një kujdes të veçantë për personelin shëndetësor, të cilët janë goxha të ekspozuar ndaj këtij rreziku, por besojmë se duke rritur mbrojtjen e shëndetit të personelit shëndetësor, sadopak, shmangim edhe mundësinë që edhe ky personel të kthehet në një vektor përhapës”, ka theksuar ministri Beqaj, ndërsa bëri me dije se Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat për furnizim me vaksina në të gjithë vendin.

Profesorja e Asociuar e Sëmundjeve Infektive, Dr. Bino, theksoi se personeli shëndetësor është ndër grupet kryesore të rriskut, por nga ana tjetër, bëhet edhe burim infeksioni.

Por, sipas saj, vaksinimit duhet ti nënshtrohet edhe një pjesë e mirë e popullatës, që janë edhe më të predispozuar për tu prekur nga gripi.

“Por, përveç personelit shëndetësor, është shumë e rëndësishme që të vaksinohen dhe grupet e tjera, të cilat ne i quajmë grupe të rrezikut. Grupe të rrezikut, shumë të rëndësishëm, janë personat të cilët vuajnë nga sëmundje kronike, sidomos ata që vuajnë me sëmundje të zemrës, me sëmundje të mushkërive, me sëmundje kronike të veshkave, me sëmundje të tjera të gjakut, apo me sëmundje, të cilat prekin imunitetin apo ulin imunitetin e njeriut. Dhe kjo është arsyeja që këta njerëz, duke qenë se bëjnë forma të rënda të gripit, duhet të parandalojmë këto lloj formash duke i vaksinuar me vaksinën e gripit”, pohoi Bino. Sipas saj, e gjithë popullata duhet ti nënshtrohet vaksinimit nga gripi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, Iria Preza, ka theksuar se fushata e vaksinimit ka nisur në Tetor, dhe do të vazhdojë deri në fund të sezonit të gripit, që përkon me muajt Shkurt- Mars.

“Vaksina shpërndahet tek Qendrat Shëndetësore dhe tek spitalet, dhe më pas, i gjithë personeli që është në kontakt të drejtëpërdrejtë me pacientët dhe që duhet të mbrojë si veten, ashtu dhe pacientët, kryen vaksinimin, dhe ky vaksinim fillon tani në tetor dhe do të vazhdojë deri në periudhën e fundit të sezonit të gripit, që është fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit”.

Gjithashtu, Ministri Beqaj bëri me dije se është bërë edhe furnizimi i rrjetit të hapur të farmacive me vaksina, dhe kushdo mund ta aplikojë atë për tu mbrojtur nga gripi gjatë sezonit të dimrit. /albeu.com/


Shtuar më 26/10/2016, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori