Beqaj: 660 milionë lekë për fuqizimin dhe modernizimin e Spitalit të Traumës
Ministri i Shëndetësisë Beqaj ka inspektuar ecurinë e punimeve në sallat e operacionit dhe repartin e imazherisë.

Një investim nga Buxheti i Shtetit me një vlerë prej 660 milionë lëkë parashikon fuqizimin dhe modernizimin e mëtejshëm të këtij institucioni.

Punimet e nisura së fundi përfshijnë konkretisht ndërhyrjet në pjesën që do të jetë i gjithë poli i imazherisë për pacientët e shtruar në spital, ndërkohë që parashikohen edhe ndërhyrje në urgjencë, në sallat e operacioneve, por edhe për përmirësimin e ndjeshëm të sistemit elektrik dhe atij të aspirimit, duke instaluar një sistem të ri dhe bashkëkohor aspirimi të ajrit me filtra antimikrobikë.

Gjatë inspektimit për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, theksoi se falë këtyre ndërhyrjeve në infrastrukturën e Spitalit Universitar të Traumës, me investimin prej rreth 5.7 milionë euro, sigurohet instalimi i pajisjeve të reja brenda pranverës së ardhshme në këtë spital, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor për pacientët që kanë nevojë për shërbimet e këtij spitali.

Kreu i shëndetësisë u shpreh se këto investimeve do të bëjnë që ky spital t’i përgjigjet ashtu siç duhet nevojave që kanë pacientëve të ndryshëm nga i gjithë vendi.

“Në vijim të përpjekjeve për fuqizimin dhe modernizimin e Spitalit të Traumës po bëjmë disa ndërhyrje të nevojshme në infrastrukturë, në mënyrë që investimi prej rreth 5.7 milionë euro pajisje që do të instalohen pranverën e ardhshme, të jenë të gatshme edhe për funksionim. Janë rreth 660 milionë lekë, që financohen nga Buxheti i Shtetit për ndërhyrje në këtë pjesë që do të jetë gjithë poli i imazherisë për pacientët e shtruar në spital, përfshirë edhe ndërhyrjet në urgjencë, në sallat e operacioneve; për të patur përmirësim të sistemit elektrik, që është i amortizuar, për të patur sistem aspirimi të ajrit me filtra antimikrobike siç i duhet sallave të operacioneve, dhe kemi dhe përmirësimin e ndjeshëm të sistemit elektrik, të aspirimit dhe të ajrimit edhe në reanimacionin e përgjithshëm të spitalit”, ka nënvizuar kreu i shëndetësisë.

Investimet e kryera në ketë spital do të jenë në funksion të plotë pranverën e ardhshme. “Me këto ndërhyrje në nivelin 660 milionë lekë, bëhen praktikisht shumë më efiçente edhe pajisjet, siç e thashë një vlerë investimi 5.7 milionë euro që do të vihen pranverën e ardhshme në funksionim në spital, gjë që do ta bëjë këtë spital me kapacitete që ti përgjigjet ashtu siç duhet nevojave që kanë pacinetë të ndryshëm nga i gjithë vendi për trauma dhe për sëmundje të tjera”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj.

Këto janë dy blloqet kryesore ku po punohet aktualisht, ndërkohë që të tjera investime dhe ndërhyrje do të kryhen edhe në shërbime të tjera të Spitalit Universitar të Traumës./albeu.com/

Shtuar më 11/12/2016, ora 10:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori