Beogradi dhe Shkupi skenare per te nxire imazhin e Kosoves
Albeu.com
Shtyrja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën ka nxjerrë në pah edhe shumë dilema dhe prapaskena për lojën Shkupit dhe Beogradit për të rrënuar imazhin e shtetit të ri fqinj.
Qarqe politike opozitare kanë detektuar lojërat dhe skenarët e rrezikshme të këtyre dy vendeve për të izoluar Kosovën në mënyrë të heshtur. Rrënimi i imazhit të këtij vendi fqinj sidomos është një mision i ndërmarrë së fundi nga vizitat e fundit të Gruevskit në Beograd, ku ai zhvilloi takime kokë më kokë larg mediave me presidentin Boris Tadiq dhe krerët e lartë qeveritar serb, ku siç bëhet e ditur në agjendë ka qenë pikërisht edhe Kosova.

Ish-kandidati presidencial maqedonas nga radhët e LSDM-së opozitare, Lubomir Fërçkovski gjithashtu vlerëson se vizita e fundit e Gruevskit në Beograd është pjesë e skenarit që të margjinalizohen marrëdhëniet me Kosovën. “Vizita e fundit e ekipit qeveritar në Beograd, është një kusht i dhënë aty që të mos zhvillohen marrëdhëniet me Kosovën dhe të lihen anash. Ky është një moment politik që duhet të vlerësohet se përse kjo Qeveri po e bën këtë“, ka theksuar profesori universitar Fërçkovski.

Të vërtetën për kalkulimet midis Beogradit dhe Shkupit për Kosovën e konfirmuan drejtuesit e dy forcave më të mëdha politike opozitare PDSH-ja nga partitë shqiptare dhe LSDM-ja nga partitë maqedonase.

Nënkryetari i PDSH-së, Abdyladi Vejseli alarmoi qartë se Maqedonia në mënyrë tendencioze po shtyn mosvendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ndërsa kjo sipas tij po bëhet për hir të Beogradit dhe inskenimeve të tjera me këtë vend fqinj.

Po ashtu tre ditë më parë edhe deputeti dhe anëtari i lartë i LSDM-së, Vllado Buçkovski deklaroi hapur lojën e qartë midis Beogradit dhe Shkupit kundër Kosovës. ”Është e qartë se Maqedonia po kalkulon me vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën.

“Sipas mendimit tim, kjo ndodh për shkak të ngrohjes së marrëdhënieve me Beogradin dhe pas dërgimit të sërishëm të ambasadorit maqedonas atje”, ka theksuar ish-kryeministri Buçkovski.

Qeveria e Maqedonisë ende nuk i është përgjigjur këtyre vlerësimeve dhe pohimeve alarmuese të dhëna nga faktorë relevantë politik, por edhe nga qarqet analitike. Partitë shqiptare opozitare kërkuan sqarime për këto çështje pikërisht nga faktori politik shqiptar në qeveri, në këtë rast BDI-ja, e cila gjithashtu po vazhdon të jetë e heshtur. /INA/
Shtuar më 29/08/2009, ora 17:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori