“Bomba” e SHISH, kreu i celulës së spiunazhit është babai i drejtorit të ADISA-s, Lorin Ymeri: Sa të sigurta janë të dhënat e shqiptarëve?

Një hetim i SHISH që ka vënë në lëvizje edhe SPAK-un në lidhje me një celulë spiunazhi në shërbim të agjenturave jo mike ka tronditur opinionin publik vendas pasi është hera e parë që Shqipëria përballet me situata të tilla, të paktën publikisht.

Ora News raportoi më herët se SPAK kishte nisur hetimet për ka vënë nën hetim 4 ish zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një të Policisë së Shtetit, të dyshuar për nxjerrje të informacioneve sekrete që dëmtojnë interesat e shtetit shqiptar.

Më konkretisht, bëhet fjalë për Frederik Ymerin, Gjergji Kotin, Bashkim Abazin, Luftar Cunaj dhe Maksim Ferrën.

Frederik Ymeri, një ish-funksionar i lartë i SHISH-it konsiderohet si kreu i celulës së spiunazhit dhe koordinonte grupin në fjalë duke siguruar informacione konfidenciale dhe sekrete nga institucione të administrates.

Ndërkohë, redaksia e Gazeta Express në Shqipëri ka zbuluar se ish-zyrtari i lartë i SHISH, pikërisht Frederik Ymeri është babai i një zyrtari të lartë të administratës shqiptare. Bëhet fjalë për Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA), institucion që drejtohet pikërisht nga djali i Frederik Ymerit, Lorin Ymeri.

Ky i fundit gjendet prej katër vitesh në krye të institucionit që administronte deri para pak javësh thuajse të gjitha shërbimet që ofron administrate shqiptare, duke filluar nga lejet e ndërtimit, certifikatat e ndryshme, gjithçka mbi pensionet, sigurimet shoqërore, pagesa të ndryshme, administrimi i territorit deri te të dhënat mbi ushtrinë.

ADISA ka mundësuar të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve duke administruar të gjitha “sekretet” e shtetit shqiptar dhe qytetarëve të këtij vendi deri më datë 1 maj të këtij vitim, ditë në të cilën u mbyllen sportelet e saj pasi tashmë gjithçka ofrohet nga e-Albania. Pra, deri në 1 maj ADISA ka administruar të gjithë databazën që ka sot e-Albania.

SPAK thotë se deri tani, nga hetimi, nuk janë arritur të sigurohen të dhëna konkrete në lidhje me destinacionin përfundimtar të këtyre informacioneve, por dyshohet se kjo veprimtari cënon sigurinë kombëtare në formën e spiunazhit.

Megjithatë, institucioneve përgjegjëse iu duhet të verifikojnë nëse celula në fjalë ka patur apo jo akses në databazën e të dhënave të ADISA-s, e cila në fakt ka administruar të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me çdo shtetas shqiptar si edhe çdo dokument mbi institucionet publike të këtij vendi.

Duke qenë se personi i cilësuar nga SHISH si kreu i kësaj celule spiunazhi, Frederik Ymeri është babai i drejtorit të ADISA-s, Lorin Ymerit, nxit pikëpyetje të mëdha në lidhje me sigurinë e të dhënave të shqiptarëve, të cilat janë cënuar herë pas here deri më tani me publikimin fillimisht të përkatësisë politike përmes databazës së patronazhistëve dhe më pas me pagat dhe në fund me numrat e telefonit dhe targat e makinave.

Së paku, shqiptarët duhet të dinë nëse të dhënat e tyre kanë rënë apo jo në duart e agjenturave jo mike përmes kësaj celule spiunazhi me lidhje familjare me personin përgjegjës për administrimin e të gjitha të dhënave mbi shqiptarët dhe institucionet e këtij shteti.

Kush është Lorin Ymeri

Ai u bë fillimisht pjesë e administratës shqiptare si kreu i kabinetit të Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike nën drejtimin e Milena Harito përgjatë periudhës 2013-2017.

Siç shkruan në CV-në e tij, pas kësaj detyre, Lorin Ymeri ka kryer edhe detyrën “e ndihmësit të kryeministrit për çështjet e integrimit evropian”. Lorin Ymeri drejtoi ADISA-n nga viti 2018 duke patur në duar një databazë gjigante me çdo informacion që ka të bëjë me qytetarët e këtij vendi si edhe administratën e shtetit shqiptar./GazetaExpress