Belgjika do të ofrojë mbështetje për reformat në drejtësi
Ministri i Drejtësisë do të ketë mbështetje të plotë nga belgjika për reformat në Drejtësi. Gjatë një takimi me Ambasadoren e Belgjikës, znj. Anicks Van Calster, ministri vlerësoi kontributin e Belgjikës në disa fusha në vendin tonë.


“Ka akoma shumë punë për të bërë në drejtësi, por ne kemi nisur që ditët e para të punës me realizimin e një portali denoncimesh online, në faqen zyrtare të ministrisë sonë, ku qytetarët mund të denoncojnë vetë rastet e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Përveç kësaj, kemi realizuar një spot, i cili në kuadër të një fushate ndërgjegjësuese kundër korrupsionit, do të transmetohet në mediat vizive dhe ato elektronike, në rrjetet sociale etj, për të patur një impakt sa më të gjerë publik.”- u shpreh Ministri Naço.


Ai gjithashtu u ndal tek ndryshimet e planifikuara në disa ligje. Konkretisht, në ligjin “Kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit”, apo anti- mafia dhe në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”, i hyrë në fuqi në vitin 2004 dhe i ndryshuar në vitin 2009, për një transparencë më të lartë të pasurive të zyrtarëve, përfshirë këtu edhe pasuritë e familjarëve të tyre, për të parë se si e kanë vënë këtë pasuri.


Ndërsa ambasadorja Calster e përgëzoi Ministrin për nismat dhe shtoi se një iniciativë e tillë duhet të shtrihet deri tek investitorët. Ambasadorja u shpreh mjaft e kënaqur me gjithçka që Ministri ka në prioritetet e punës së tij.


“Do të marr me vete mesazhin se kjo Ministri po punon në drejtimin më të mirë. Sistemi i drejtësisë do të jetë i fokusuar në sektorët e duhur dhe ju m’i paraqitët mjaft qartë. Unë mendoj se ju po punoni në mënyrë të ngjashme me Belgjikën, duke nisur nga ndërhyrja në pikat më të rëndësishme të drejtësisë, gjë për të cilën ju përgëzoj”- përfundoi Ambasadorja Van Calster. /albeu.com/

Shtuar më 09/10/2013, ora 17:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori