Bëhu një zë më shumë në OKB
Samiti i OKB-së, që zhvillohet çdo vit në Nju Jork, këtë herë i ka nisur punimet më 15 shtator, krejt ndryshe nga çdo sesion tjetër në historinë prej treçerek shekulli të kësaj organizate: po zhvillohet online, për shkak të pandemisë aktuale globale. ǒka do të thotë se nëpër korridoret e zhurmshme dhe ndonjëherë të tejmbushura të selisë së OKB-së në Nju Jork, presidentët e figurat e famshme globale nuk po ndeshen me njëri- tjetritn. Pjesa më e madhe e liderëve nuk janë personalisht aty dhe takimet po zhvillohen virtualisht, por kjo nuk do të thotë që rrotat e diplomacisë globale dhe zhvillimit të qëndrueshëm nuk do të rrotullohen me shpejtësinë e zakonshme.

Ky vit pandemie përkoi me 75- vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pavarësisht prej kufizimeve të diktuara nga Covid-19, një gjë nuk ka ndryshuar për OKB-në: dëshira dhe misioni për të përmirësuar jetën e kombeve dhe njerëzve në mbarë globin.
Theksi te paqja, siguria, ekonomia, shëndetësia, arsimi etj... që tashmë duhen analizuar e trajtuar në të tjera dimensione që po na diktoin ky normalitet i ri- Covid 19.

OKB-ja po planifikon t’i ndërtojë strategjitë e së ardhmes mbështetur jo thjesht në kontributin e ekspertëve të saj, por kësaj here, edhe në idetë dhe mendimet e njerëzve në të gjithë globin. Për të mbledhur këto mendime, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nisur prej disa muajsh fushatën #UN75, për plotësimin e një pyetësori, i cili na jep të gjithëve mundësinë të themi fjalën tonë, për të ardhme të përbashkët më të mirë e më të sigurtë. Ky pyetësor, i cili është publikuar prej muajsh, është plotësuar nga qindra e mijëra njerëz në mbarë globin dhe nga mijëra shqiptarë gjithashtu. Sot është një ditë e veçantë sepse, midis të tjerave, në Samit do të shpallen rezultatet paraprake të këtij pyetësori, do të shpallen idetë e zërat e çdo qytetari të botës që ka klikuar e ka shprehur shpresën e vet për çfarë duhet të bëhet më mirë. Sa ka shkuar numri global i qytetarëve që kanë dhënë mendimin e tyre? Cilat janë prioritetet e shpresat e tyre më të mëdha? Po shqiptarët çfarë duan më shumë, për rimëkëmbjen e vendit nga Pandemia: më shumë investime në sistemin arsimor, qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor, më shumë mundësi punësimi, të rimenduarin e ekonomisë globale, më shumë bashkëpunim mes kombesh? Samiti do të na i zbulojë së shpejti prespektivat e së nesërmes, bazuar mbi të dhënat e pyetësorit që do të vijojë të shpërndahet nëpër botë, edhe këtu në Shqipëri, deri në fund të dhjetorit. Ndaj nëse nuk e ke bërë ende, klik tani në https://un75.online/?lang=alb
Shtuar më 21/09/2020, ora 14:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori