Behgjeti e Isa, aleance?
Albeu.com
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, iu ka hedhur në përqafim Behgjet Pacollit të shtunën, para fillimit të ceremonisë së organizuar nga Unioni Ndërkombëtar për Paqe, ku Kryetari i AKR-së mori çmimin “Kalorësi i Paqes”, shkruan sot gazeta Express.
Për shumë vite raportet mes Pacollit dhe Mustafës kanë qenë të tendosura për shkak të armiqësisë së hapur mes dy subjekteve të tyre, AKR-së dhe LDK-së. Ata asnjëherë nuk i kanë kursyer aspak kritikat ndaj njërit-tjetrit. Por, duket se diçka ka ndryshuar.

Burime të Express thonë se Behgjet Pacolli është takuar para disa ditësh me Isa Mustafën.

“Takimi ka zgjatur dy orë dhe aty është biseduar për një aleancë të mundshme mes kryetarit të AKR-së dhe kryetarit të Prishtinës”, ka thënë një zyrtar i lartë i AKR-së në kushte anonimiteti.

Sipas tij, Pacolli është i interesuar për të ndërtuar aleancë me kryetarin e Prishtinës, pesha politike e të cilit po rritet dita-ditës. Afrimi i Isa Mustafës me Behgjet Pacollit është një shuplakë e drejtpërdrejtë për kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiun, i cili ka një armiqësi të hapur me kryetarin e AKR-së.

Por, duket se Isa Mustafa po del nga hija e Fatmir Sejdiut duke ndërtuar profilin e vet politik. Aq më tepër tash kur LDK-në e ndajnë vetëm disa muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme. Në Kabinetin e kryetarit të Prishtinës tentojnë ta minimizojnë takimin mes Mustafës dhe Pacollit.

Këshilltari i Isa Mustafës për media, Asdren Osaj, ka sqaruar se takimi nuk ka zgjatur më shumë se pesë minuta,

përderisa aty ishte i ftuar si kryetar i Prishtinës.
“Veç kemi hy dhe kemi dalë sepse kemi pasur takim me Ministrin e Arsimit. Kryetari Mustafa vetëm e ka uruar z. Pacolli për çmimin dhe asgjë më shumë”, ka thënë Osaj për Express.

“Nuk mund t’i komentoj raportet e kryetarit Mustafa me z. Pacolli apo me dikë tjetër. Mirëpo, Kryetari Mustafa i ka raportet e mira me të gjithë personalitet, pa përjashtim”, ka shtuar Këshilltari Osaj.

Ngjashëm është shprehur edhe zëdhënësi i Komunës, Muhamet Gashi.

“Kryetari Mustafa është ftuar në cilësinë e kryetarit të Komunës. Ata kanë pas takime edhe më herët. Raportet e Pacollit dhe Mustafës janë raportet kryetar partie - kryetar i Prishtinës”, ka thënë ai.

Por, ndryshe tingëllojnë deklaratat e kryetarit të AKR-së. Një javë më parë, në një bisedë për Express, Behgjet Pacolli ka zgjedhur fjalët më të mira kur ka folur për Isa Mustafën.

“Në LDK aktualisht më pëlqen vetëm pozicioni i qartë i Isa Mustafës. Mua më ka pëlqyer zoti Mustafa me qëndrimet e tij të qarta, por fatkeqësisht LDK nuk e ka marrë parasysh qëndrimin dhe idenë e tij”, ka thënë Pacolli.

Liderin e AKR-së e ka mahnitur qëndrimi i palëkundur i Isa Mustafës që nga ardhja e tij në pushtet.

“Më ka pëlqyer dhe më pëlqen vetëm qëndrimi i qartë që e ka dhënë Isa Mustafa. Unë e mbështes këtë qëndrim të vazhdueshëm dinjitoz dhe burrëror të Isa Mustafës”, pati thënë Pacolli.

Ndryshe, në ceremoninë e ndarjes së çmimit për Liderin e AKR-së kanë marrë pjesë edhe familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, lideri i LDD-së, Nexhat Daci, ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. (Koha)
Shtuar më 04/07/2010, ora 14:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori