BE nuk e harron Shqipërinë, mbërrin në vend ndihma e para kundër COVID-19
Në Shqipëri ka mbërritur ndihma e parë nga BE për përballimin e COVID-19.

Ndihma konsiston në materiale për mbrojtjen personale për stafet mjekësore, si pjesë e ndihmës prej 4 milionë euro të akorduara për Shqipërinë.

“Këtu prapa nesh keni mundësinë të shihni një pjesë të atyre gjërave që janë sjellë tashmë në Shqipëri, ndërkohë që në maune janë më shumë se 400 kuti të tjera si pjesë e të gjithë kësaj pune dhe donacioni që po bëjmë, pjesë e 4 milion eurove që janë dhënë donacion nga Bashkimi Europian.

Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë Shqipërisë, jemi tashmë më afër se kurrë, dhe së bashku jemi më të forte. Prandaj kjo është edhe tema që ne kemi zgjedhur për javën e Europës, e cila fillon sot”, tha Soreca.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

“Bashkimi Europian tregoi edhe një herë vlerat e solidaritetit që janë në zemër të tij. Mbështetja që na vjen nga Bashkimi Europian, nëpërmjet fazës së parë të lëvrimit të grandit prej 4 milio euro, nëpërmjet kësaj dërgese të pare, fuqizon akoma më shumë stafet tona mjekësore në luftë dhe në përballje me COVID19, nëpërmjet materialeve të mbrojtjes personale, siç janë syzet, helmetat, maskat, të cilat janë shumë të rëndësishme, për të patur një personel shëndetësor të mbrojtur”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se duhet rritur vigjilenca pavarësisht se jemi në një moment ku ka filluar një lehtësim i masave shtrënguese

Në dërgesën e parë të mbështetjes së BE-së kanë mbërritur 110 mijë palë doreza, më shumë se 2 mijë maska dhe më shumë se 1 mijë litra dezinfektatë për duart. Në javët në vijim do të mbërrijnë edhe kite testimi, respiratorë si edhe 5 autoambulanca.

Shtuar më 04/05/2020, ora 17:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori