BE-ja publikisht neutrale per strategjine per Veriun
Albeu.com
Bashkimi Evropian do të mbetet neutral karshi strategjisë për veriun, të hartuar nga ICO-ja dhe nga Qeveria e Kosovës. Një zyrtar i afërt me kryesuesen aktuale të BE-së, Spanjën, ka thënë se neutraliteti i ...... BE-së do të jetë aq i fuqishëm, saqë zyrtarët e këtij unioni nuk do të bëjnë komente publike për strategjinë. Sipas këtij burimi, qëndrimi i tillë i BE-së bëhet në radhë të parë për të mos dëmtuar përpjekjet e ICO-së dhe të Qeverisë së Kosovës në implementimin e strategjisë.
“Duhet të jemi shumë koncizë në qëndrimet tona për strategjinë. Nuk do të jetë e mirë për procesin nëse çdokush nga BE-ja fillon të flasë për strategjinë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos komentojmë”, i ka thënë gazetës ky zyrtar.

Zyrtarët evropianë pranojnë se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare i ka pamundësuar Bashkimit që të ketë qëndrim pro strategjisë, ndërsa përpjekjet për të ndërtuar një qëndrim të tillë vetëm sa do të forconin dallimet dhe do të dëmtonin vetë strategjinë.

“Pozicioni i BE-së për veriun e Kosovës është i njëjtë sikur për gjithë Kosovën. Ne mbështesim reformat socio-ekonomike, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe kontribuojmë në një ambient të qëndrueshëm shumetnik”, ka thënë për “Kohën Ditore” zyrtari nga Brukseli.

Sipas tij, BE-ja është e vendosur që të ketë rol udhëheqës në Kosovë.
“Me anë të rolit udhëheqës ne mbështesim autoritetet kosovare në zhvillimin e sundimit të ligjit nën një sistem të vetëm legal në gjithë Kosovën. Prandaj BE-ja ka zbarkuar në Kosovë misionin më të madh të saj civil ndonjëherë, EULEX-in. Progresi në veri të Kosovës mund të arrihet vetëm me dialog dhe hap pas hapi. Do të mund të ecet në hapat e tjerë vetëm nëse ata pranohen nga të gjitha komunitetet”, ka thënë ky zyrtar, duke u munduar që të shpjegojë pozicionin e Bashkimit Evropian.

Sipas këtij zyrtari, hapja e “Shtëpisë së BE-së” në veri të Mitrovicës do të shërbejë mbi këtë qëndrim progresivit të BE-së.
Strategjia për veriun, e publikuar ditë më parë, është hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga ICO-ja, ka për qëllim shtrirjen e autoritetit të Prishtinës edhe në veri të Kosovës, gjë që ka munguar që nga paslufta.
Veç të tjerash, burokracia dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare i ka sjellë BE-së edhe një problem teknik në raport me Kosovën.

Mungesa e një ambasade të Spanjës, shtetit që kryeson BE-në në Prishtinë, e ka lënë Presidencën e BE-së pa përfaqësi në Kosovë.
“Pasi që shteti aktual presidencial i BE-së, Spanja, nuk ka përfaqësim diplomatik në Kosovë, Presidencën e BE-së e përfaqëson atje Belgjika”, i kanë thënë gazetës zyrtarët nga Brukseli.
Mirëpo ajo që bën Ambasada belge në Kosovë nuk është përfaqësim i Spanjës, përveç se e ndihmon shtetin iberik në informimin për Kosovën.
Shefi i misionit diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alain Van Gucht, ka thënë se ai nuk mund të flasë për qëndrimet e shtetit presidencial të BE-së karshi Kosovës.
Diplomati belg nuk ka dashur që të komentojë as pozicionin e BE-së ndaj strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat veç të tjerash janë edhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Strategjia për veriun që është një pozicionim politik pritet që të marrë mbështetjen e shteteve anëtare të Bordit Drejtues për Kosovën, të cilat janë shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në mbledhjen e radhës të këtij bordi, më tetë shkurt, thuhet në një shkrim më të gjatë, në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”. (koha)
Shtuar më 29/01/2010, ora 20:09
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori