Zero shanse për azil! Riatdhesohen në Shqipëri 40 shtetas

40 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar pasi kishin kërkuar azil nga Franca e Belgjika.

Mesditën e sotme, nga Patrulla e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin (O.F.I.I.), me anë të një fluturimi me charter, të nisur nga Lille, Francë u riatdhesuan 34 shqiptarë nga Franca dhe 6 nga Belgjika.

Prej 1 janarit 2020 e deri sot janë riatdhesuar 808 shtetas shqiptarë, të kthyer deportiv dhe të riatdhesuar nëpërmjet fluturimeve me charter.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë që të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Schengen të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së.

Në njoftimin e tyre shtojnë se shqiptarët nuk duhet të bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ. Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero.


Shtuar 11.02.2020 15:39