COVID-19 detyron Serbinë të “njohë” Kosovën

Mediat lokale serbe në veri të Mitrovicës kanë marrë informacione për mbylljen e kufirit me Serbinë përmes qytetarëve, të cilët janë përpjekur të kalojnë kufirin në Jarinje, Bërnjak dhe Merdare të premten për të hyrë në Kosovë, por nuk kanë arritur, sepse u është thënë se i ashtuquajturi “vendkalim kufitar i integruar” është mbyllur nga ana serbe.

Agjensia e lajmeve “Kossev” ka raportuar se ministria e brendshme e Serbisë ka urdhëruar të gjitha ekipet policore në vendkalimet kufitare me Kosovën të mbyllin kufirin.

Pikat kufitare janë mbyllur që nga e premtja në orën 14:00 për të paktën 48 orë dhe më shumë deri në marrjen e një vendimi tjetër. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha vendkalaimeve kufitare për hyrje të udhëtarëve, përveç për kamionë.

Eshtë ndërprerë edhe trafiku ndërurban, derisa Qeveria e Serbisë ka dërguar avionet për t’i marrë shtetasit e vetë që kanë mbetur nëpër aeroporte.

E në jug të Mitrovicë vazhdon zbatimi i masave të Qeverisë së Serbisë për parandalimin e virusit korona.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lëvizin në rrugë, derisa janë mbyllur parqet dhe qytetarëve u është rekomanduar të rrinë brenda. Gjithashtu, kryetari i Mitrovicës ka mbyllur edhe hyrjen tek liqeni akumulues, si një masë tjetër parandaluese.

Kjo është hera e parë që Serbia mbyll kufirin me Kosovën që kur ka hyrë NATO-ja duke shënuar kështu në një farë mënyrë njohje de facto të Kosovës nga Serbia. /abcnews.al


Shtuar 21.03.2020 10:01