BE i përgjigjet Bashës për protestën: Mbështesim vetëm debatin politik në Parlament, jo atë jashtë tij
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç i është përgjigjur deklaratave të Lulzim Bashës, i cili ka thënë se ka mbështetje ndërkombëtare për protestën dhe rrëzimin e qeverisë Rama.

Duke folur për RTSH-në, Koçijançiç ka thënë se BE-ja mbështet vetëm debatin politik në Parlament dhe jo atë jashtë tij që vetëm përkeqëson klimën politike.

INTERVISTA:

Cili është qëndrimi i Komisionit Europian lidhur me kërkesat e opozitës? Siç e dini ka një grevë, u organizua një protestë kombëtare dhe kryetari i PD-së, Basha, thotë se gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve në kërkesat për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhje, përfshirë dhe çështjen e votës elektronike, në të kundërt deputetët e pakicës bojkotojnë Kuvendin, për pjesën e mbetur të punimeve.

Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicien e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane. Për këtë arsye, është e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e drejtësisë. Këto ndryshime kanë rëndësi thelbësore për të siguruar progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe siç e mbani mend, Komisioni rekomandoi në Nëntor nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, subjekt i zbatimit të prekshëm e të besueshëm në reforma specifike dhe pikërisht reforma e drejtësisë është ajo që kam në ndërmend”.

Nisur nga përgjigja teknike e menjëhershme e kabinetit të Komisionerit Hahn ndaj letrave të dy ministrave të LSI-së mbi Bordin e Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, siç është publikuar në Tiranë, si ndikojnë këto qëndrime në marrëdhëniet me vendin? A parashikohet vizitë në Tiranë? Kur do mbahet tryeza e radhës e dialogut të nivelit të lartë?

Komisioneri Hahn ka marrë disa letra në të vërtetë dhe u është përgjigjur atyre. Siç e dini ngritja e bordit për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është diçka e diskutuar thellësisht në detaje me qeverinë shqiptare. Është dhënë shumë informacion mbi këtë dhe është ngritur në përputhje me legjislacionin përkatës dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe detyra e bordit është për të monitoruar procesin. Pra, është tejet e qartë dhe transparente.

Reforma në vetvete është sfiduese dhe për këtë arsye, Bashkimi Europian vazhdon mbështetjen e tij për punën sa i takon reformës në drejtësi. Për momentin, mund të them se me Tiranën vazhdojnë kontaktet e rregullta me shumë intensitet.
Shtuar më 20/02/2017, ora 20:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori