BE fut ne agjende Malin e Zi, "harron" Shqiperine
Albeu.com
Bashkimi Evropian, në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Punëve të Jashtme, që drejtohet nga Chatherine Ashton pritet të lëshoje një deklaratë mbi negociatat e drejtuara nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, për të arritur një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Pas kërcënimit të dhënë nga Prishtina, ku Ashton deklaroi qartë se Shqipërisë i rrezikohet integrimi në BE, Brukseli zyrtar pritet të konkretizojë më seriozisht qëndrimin e tij politik. Ndërkaq, në mbledhjen e nesërme do të mbahet një takim i veçantë për negociatat e BE-së me Malin e Zi, i cili ashtu si edhe Shqipëria ka dorëzuar aplikimin për statusin e vendit kandidat madje ka përfunduar edhe plotësimin e pyetësorit.
Pikërisht kjo pikë tregon një sinjal të qarte se deklarata e BE-së po vihen në jetë, duke vonuar edhe më shume stadin e Shqipërisë, duke avancuar një nga fqinjët tanë siç është Mali i Zi. Sipas programit të botuar nga Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian, nesër ne Bruksel mblidhet Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së, takim që fillon në orën 09.00 të mëngjesit.
Ky takim bëhet në të njëjtën kohë kur në Tiranë fillon misioni diplomatik i delegacionit të zgjeruar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të bëjë përpjekjen e fundit për të arritur një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës. Burime diplomatike i thanë “Shqip” se sipas të gjitha gjasave nga Brukseli do të dalë një deklarate politike për negociatat në Tiranë ku do t’u kërkohet dy krerëve kryesorë të politikës, por veçanërisht qeverisë që të arrijnë në një marrëveshje që do të zhbllokojë krizën politike.
Ndërkaq, në agjendën e mbledhjes së të hënes, theksohet se Këshilli i Punëve të Jashtme, i cili do të drejtohet nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Chatherine Ashton, pritet të diskutojë në mënyrë të veçantë për Haitin, Iranin dhe Ukrainën. Pritet që të adaptohen konkluzione për këto çështje. Në vazhdimësi, do të ketë përfundime për Republikën e Moldavisë dhe Zimbabvesë. Në kuadrin e Këshillit janë parashikuar takimet për bashkëpunimin mes BE-së dhe Kirgistanit, si dhe dialogu ministror mes Bashkimit Evropian dhe Malit te Zi.
Krerët e Bashkimit Evropian, si dhe diplomatët e tyre në Tirane e kanë përsëritur më se një here se nëse nuk do te zgjidhet kriza politike në Shqipëri mes Berishës dhe Ramës, rrezikon seriozisht integrimi i vendit tone ne BE. Në këtë kuadër, siç e ka detajuar edhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, mund të vonohet liberalizimi i vizave për shqiptarët, për të cilat qeveria ka premtuar se do te ndodhë brenda këtij viti, por edhe çështja e statusit kandidat, raporton Top Channel.
Komisioni Evropian po përpunon opinionin për Shqipërinë dhe në muajin e ardhshëm ky dokument do të përfundojë për t’u bërë publik më 11 maj kur në Bruksel do të mbahet këshilli i asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Nëse ky opinion nuk do të jetë pozitiv, atëherë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së do të marre në konsideratë dokumentin e kabinetit të Barrozos, ndaj do ta shtyjë shqyrtimin e vendimit për Shqipërinë. Me këtë vendim, Shqipëria mund të vendoset me të njëjtën agjendë me Bosnje-Hercegovinën, vend i cili ende nuk ka firmosur as Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pasi ndodhet ende në protektoratin ndërkombëtar. Shqipëria futet në një agjendë me Bosnjën, pasi Kroacia ndodhet fare afër pranimit në BE, Maqedonia pritet që pas kalimit të ngërçit me Greqinë për çështjen e emrit të avancoje me negociatat, pasi statusin e vendit kandidat e ka fituar prej kohësh. Ndërkaq, Mali i Zi edhe Serbia po ecin shumë shpejt, edhe pse kanë nisur procesin shumë më vone se Shqipëria.
Shtuar më 21/02/2010, ora 20:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori