BE ftoi Prishtinen e Beogradin per dialog
Albeu.com
Për herë të fundit të mandatit të saj në krye të BE së, Spanja është shprehur se nuk ndërhyn për çështjen e statusit mes Prishtinës dhe Beogradit, por insiston në nevojën për dialog mes tyre.
Migel Angel Moratinos, Ministri i Jashtëm spanjoll përsëriti qëndrimin si të presidencës spanjolle ashtu edhe të Spanjës si vend anëtar i Bashkimit Evropian se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë.
”Pavarësisht nga njohja apo mosnjohja, Spanja ka inkurajuar serbët dhe kosovarët që të punojnë në çështjet praktike, në mënyrë që të përmirësojnë jetën e njerëzve dhe ky do jetë angazhimi ynë i vazhdueshëm, pavarësisht çështjeve legale dhe çështjes së njohjes”, deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll, Migel Angel Moratinos.
Moratinos shpjegoi se shteti, të cilin ai e përfaqëson, nuk involvohet në çështjet e statusit të Kosovës dhe precizoi se apeli për dialog bëhet vetëm për aspektin praktik, sepse kjo do ndihmonte në avancimin e kushteve të jetës të qytetarëve të rajonit. Sa i përket statusit, pohoi Moratinos, kjo u takon palëve të vendosin.
Ministri i Jashtëm spanjoll ka rikujtuar se në fillim të Presidencës spanjolle me BE-në ka pasur mjaft skepticizëm për shkak të qëndrimit spanjoll ndaj Kosovës dhe besohej se gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë progres, as nisma drejt Ballkanit Perëndimor. Por, shtoi ai, u zhvillua një takim shumë i suksesshëm në Sarajevë që rezultoi me faktin se të gjithë pjesëmarrësit e rajonit u ulën së bashku dhe të gjithë theksuan përcaktimet për integrimet evropiane. Kjo shënoi deklaratën e fundit të ministrit spanjoll si kryesues i BE së, pasi më 1 korrik drejtimi i Unionit kalon në duart e Belgjikës.
Migel Angel Moratinos theksoi se konferenca e suksesshme e Sarajevës do shërbejë që institucionet evropaine të mbajnë dhe vazhdojnë angazhimin e BE-së në rajon dhe se do përmirësohet bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Ishte kjo dita e fundit e prononcimeve të Moratinosit në cilësinë e kryesuesit të Bashkimit Evropian, sepse Spanja përfundon mandatin.

Spanja ka përmbyllur kryesimin e saj të radhës të Bashkimit Europian duke qenë kryesuesja e parë që e bën këtë nën fuqinë e Traktatit të ri të Lisabonës. Rastësisht zhvillimi i fundit i kësaj presidence ishte konferenca ndërqeveritare BE me Kroacinë, ku u hapen për negocim edhe kapitujt e fundit në procesin e anëtarësimit të këtij vendi në BE.

Ministri i Jashtëm i Spanjës Miguel Angel Moratinos e quajti përparimin e Kroacisë si një mesazh të qartë politikë edhe për rajonin edhe për qytetarët e BE-së dhe si dëshmi se "dyert e BE-së mbeten të hapura edhe për vendet e tjera të rajonit sipas meritave individuale". "Sa më shpejt që Kroacia të anëtarësohet në BE, aq më mirë do të jetë edhe për vendet e tjera të rajonit dhe kështu kjo kuptohet dhe në rajon" tha ministri i Jashtëm spanjoll.


Shumë zyrtarë nga shtetet tjera të BE-së por edhe deputet të Parlamentit Evropian e kanë vlerësuar sjelljen e Spanjës rreth Kosovës si "shumë konstruktive". Por një analizë e asaj se çfarë ka ndodhur në raportet e BE-së me Kosovën gjatë kryesimit të Spanjës tregon se asgjë konkrete nuk ka ndodhur.

Mbetet një kureshtje mes diplomatëve të vendeve të BE-së se si do të sillet Spanja rreth Kosovës në BE tash, kur ka përfunduar kryesimi i saj.

Që nga sot e deri në ditën e fundit të këtij viti, presidencën e Bashkimit Evropian e merr nikoqirja e institucioneve të BE-së, Belgjika. (koha)
Shtuar më 01/07/2010, ora 12:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori