Sonte do prishet teatri? Monika Krymadhi dhe Bardhi shkojnë tek teatri: Do qëndrojmë zgjuar!

Tashmë sheshi përpara Teatrit Kombëtar është kthyer në një manifest ku qytetarët e pranishëm janë shtuar ndjeshëm në numër dhe artistëve e aktivistëve u janë bashkuar edhe eksponentë të kampit opozitar si Monika Kryemadhi, Gazment Bardhi dhe të tjerë ish-deputetë e përfaqësues të lartë politik.

Pak minuta më parë u raportua se ka sinjalizime të forta se gjatë natës së sotme do të ketë ndërhyrje për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa aktivistët e artistët bënë thirrje ndaj qytetarëve që të bashkohen për të mos lejuar diçka të tillë.

Kryemadhi tha nga teatri se edhe dje kishin dhënë sinjalizime por nuk mbërritën, ndërkohë që pohoi se edhe sot do të qëndronte gjithë natën zgjuar në shesh dhe në këtë kontekst tha se, do të donte që edhe drejtësia shqiptare të ishte zgjuar për të parë se çfarë po ndodh.

“Edhe dje e kishin plan për të hyrë, nuk erdhën, ne këtu jemi. Informacionet të jenë si të duan, do të jemi këtu për të mos lejuar zbatimin e një vendimi të paligjshëm, do të rrimë zgjuar gjithë natën dhe do të donim të ishte zgjuar edhe drejtësia shqiptare për të parë se çfarë po ndodh”, tha Kryemadhi, shkruan Fax neës.

“Ky është një tjetër shembull në një kohë kur qeveria duhet të jetë në këmbë për të ndihmuar shqiptarët që janë pa bukë. Mendjen e ka si të dhunojë qytetarët, si të pushtojë pronën publike. Ne do të jemi këtu në mbështetje të kauzës së Teatrit. Përfaqëson vlerat historike të artit shqiptar dhe për këtë do të ofrojmë edhe mbështetjen tonë politike sipas thirrjes së përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, tha Bardhi.


Shtuar 16.05.2020 20:08