BDSH reagon kunder refuzimit te ekspertizes per vrasjet
Albeu.com
Lideri i Bashkimit Demokratik Shqiptar, Bardhyl Mahmuti ka reaguar sot kundër ministres Gordana Jankulloska e cila refuzon ekspertizë të hetimit të pavarur ndërkombëtar për vrasjet e katër shqiptarëve në Radushë të Shkupit.
“Në të njëjtën mënyrë si regjimi terrorist i Millosheviqit, i cili refuzonte çdo ekspertizë të hetimit të pavarur ndërkombëtar për krimet e bëra, me arsyetim se « Republika e Serbisë ka institucione që funksionojnë me kapacitet të plotë dhe se këto institucione janë të vetmet që duhet të përgjigjen në çështjet e hapura”, po në të njëjtën mënyrë pinjollët e këtij regjimi në Shkup refuzojnë hapjen e hetimeve ndërkombëtare për Krimin monstruoz të vrasjes së Harun Aliut, Xhafer Shalës, Shaban Zenunit dhe Qemal Mustafës”, theksoi Mahmuti.

Sipas tij, deklarata e Ministres së Brendshme të Maqedonisë, G. Jankollovsaka se “Republika e Maqedonisë ka institucione që funksionojnë me kapacitet të plotë, dhe pikërisht ato janë që duhet të japin përgjigje në çfarëdo pyetje që do të paraqitet si e hapur, dhe kjo është mënyra më e mirë”, nuk dallon as në formë e as në përmbajtje nga deklaratat e ministrave të brendshëm të regjimit terrorist të Millosheviqit.

“Krimet e regjimit terrorist të Millosheviqt nuk mundën të fshihen. Siç nuk mund të fshihen krimet e regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit”, theksoi Mahmuti.

Bashkimi Demokratik Shqiptar u apelon të gjitha institucioneve ndërkombëtare që të ngrenë zërin kundër regjimit terrorist të Shkupit dhe të mos heshtin ndaj krimeve kundër njerëzimit që aplikon ky regjim.

Nga kjo parti thonë se dënimi i krimit ka vlerën e vet megjithëse dënimi i Tarçullovskit me 12 vjet burg për 10 shqiptar të vrarë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, nuk është dënim që dekurajon regjimin terrorist të Shkupit për të ndalur masakrat ndaj shqiptarëve.

Bashkimi Demokratik Shqiptar u apelon të gjitha partive politike shqiptare dhe organizatave joqeveritare që të insistojnë në ekspertizën ndërkombëtare, si e vetmja rrugë që mund të hedh dritë në ngjarjen makabre të 12 majit.

Ky subjekt politik ripërsërit kërkesën dhe insiston nga institucionet ndërkombëtare, e sidomos nga OSBE-ja, të ushtrojnë presionet e nevojshme që autoritetet e Shkupit të pranojnë ekspertizën ndërkombëtare dhe përgjegjësit të dënohen për krime kundër njerëzimit!
Shtuar më 20/05/2010, ora 22:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori