BDK: Në Maqedoni të zbatohet plani i Ahtisarit
Albeu.com
nga Bekim BuçiBashkimi Demokratik Kombëtarë (BDK) doli me ide që edhe në Maqedoni të zbatohet plani i Marti Ahtisarit me qëllim që shqiptarët në Maqedoni të gëzojnë më shumë të drejta.
Kryetari i BDK-së, Hysni Shaqiri në konferencën për shtyp të mërkurën tha se partia e tij ka shkëputur disa segmente nga pakoja e Ahtisarit, sidomos pjesët që kanë të bëjnë me të drejtat që i garanton kjo pako për bashkësitë etnike që nuk janë shumicë në Kosovë.
“Ky dokument garanton të drejtat e bashkësive etnike në Kosovë mbi standardet. Ne jemi që në Ballkan të përfundojë periudha e standardeve të dyfishta. Tash ajo që parashihet në kuadër të pakos së Ahtisarit që mund t’i realizojnë të drejtat serbët në Kosovë pse ajo pako mos të zbatohet edhe në Maqedoni”, tha kreu i BDK-së. Sipas tij, Kosova është një model sa i përket të drejtave të bashkësive etnike që nuk janë shumicë.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në lidhje me idenë e Shaqirit ka dalë me rezerva, duke bërë të ditur që energjia të përqendrohet në rrumbullakimin e Marrëveshjes së Ohrit. Me qëndrim të ngjashëm është edhe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) e cila kërkon unifikimin e faktorit politik shqiptar në Grupin e Unitetit, me qëllim të arrihet sukses siç arritën liderët kosovarë për pavarësinë e Kosovës.
Xhevat Ademi nga BDI-ja për “Lajm”, tha se nuk është mirë që në këtë fazë në të cilën kalon Kosova të tërhiqen paralele për vende të tjera të rajonit ku shqiptarët janë faktorë vendimtar. “Maqedonia ende nuk e ka rrumbullakuar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Na kanë mbetur edhe punë të mëdha siç është ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe statusi i ish pjesëtarëve të UÇK-së. Më e efektshme është përqendrimi i energjive tona politike, intelektuale në rrumbullakimin e këtij procesi”, tha Ademi.
Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Abdylhadi Veseli për “Lajm”, tha se Marrëveshja e Ohrit është bazë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe kjo marrëveshje është bërë për të drejtat e shqiptarëve dhe jo për partitë politike.
“Nuk ka nevojë për marrëveshje tjera se ato do të jenë në dëm të shqiptarëve meqë pas Marrëveshjes së Ohrit qëndron faktori ndërkombëtar. Duhet të jetë i unifikuar qëndrimi i partive politike shqiptare në realizimin e tij dhe propozimi ynë për krijimin e Grupit të Unitetit do të ndodhë sepse vetëm në këtë mënyrë të drejtat e shqiptarëve do të realizohen më mirë dhe më shpejtë”, tha Veseli. (Lajm)
Shtuar më 27/02/2008, ora 23:16
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori