BDI: Qeveria "Gruevski", stop keqtrajtimit të shqiptarëve!
Albeu.com
Botojme te plotë deklaratën e lëshuar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Tetovë lidhur me keqtrajtimin e disa familjeve shqiptare në zonën shqiptare në Maqedoni."Ngjarjet e fundit të keqtrajtimit dhe bastisjeve në Rashçe, Bojanë, Tanushë, Çair dhe ky i fundit ku u bastis shtëpia dhe u maltretuana anëtarët e familjes së nderuar tetovare Halili, pasqyron shumë mirë qëllimin e kësaj qeverie jolegjitime për shqiptarët.


Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër këto aksione të policisë dhe vlerëson se këto dhe veprimet e ngjashme si këto nuk kontribuojnë në përmisimin e klimës së përgjithshme politike dhe ndërtimin e mardhënieve të mira në mes gjithë komuniteteve. Katër vitet e kaluara kemi punuar që të përmisohet përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e shtetit dhe veçanërisht në sektorin e sigurisë me qëllim që të përmisohet besimi i shqiptarëve ndaj institucioneve. Mirëpo, me instalimin e kësaj shumice parlamentare filloi degradimi dhe ekstardimi i kuadrove shqiptare pikërisht në këtë sektor, u miratua ligji për polici që është në kundërshtim të plotë me dispozitat dhe frymën e Marrëveshjes paqësore të Ohrit, u montuan raste politike, filluan bastisjet me pretekst të kërkimit të armëve, raste këto që minojnë të ariturat në të kaluarën dhe rezikojnë ardhmërinë.


Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që qeveria të ndërpret mënjëherë këto veprime dhe të merret seriozisht me implementimin e plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe të implementojë standarde që do të ndikonin në përmisimn e jetës së qytetarëve dhe do të përshpejton proceset e integrimit të vendit në NATO dhe BE. Nuk mund të justifikoni këto veprime antishqiptare me arsyetimin se i keni shpall luftë krimit dhe korrupsionit. Kjo luftë që në fillim është e dështuar sepse është e motivuar politikisht dhe etnikisht dhe bëhet për qëllime revanshiste të strukturave të sëmura që janë në krye të këtyre institucioneve. Në momentin kur BDI-ja kërkon që statusi legal i pjestarëve të UÇK-së të rregullohet me ligj, PDSH-ja dhe qeveria jolegjitime për shqiptarët arrestojnë ushtarët e UÇK-së dhe malltretojnë familjet e tyre. Kjo edhe një herë dëshmon se PDSH-ja jo që nuk mund të realizojë premtimin se për 60 ditë do të miratojë ligjin për pjestarët e UÇK-së, por edhe e rrezikon lëvizjen e lirë të tyre, i përjashton nga puna dhe i burgos të njejtët.


Bashkimi Demokratik për Integrim u bën apel organeve kompetente në vend që të mos dehen dhe kënaqen me propagandën e uljes së tatimeve, të mos nënvlerësojnë situatën e sigurisë dhe të ndikojë në përmisimin e klimës politike në vend. Ju mund tërë ditën të dilni në media dhe për një vendim të mbani edhe njëqind presskonferenca, por në kushte të tensionuara etnike dhe situatë të pasigurtë politike nuk mund as në ëndërr të shihni investimet e huaja.


Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që menjëherë dhe pa asnjë kusht të ndëprehet me keqtrajtimin e anëtarëve të familjeve të cilat kanë dhënë kontribut në zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi. Ju bëjmë me dije se nëse prekni familjen Jashari, Halili dhe cilëndo familje të ndershme shqiptare keni prekur tek të gjithë shqiptarët".
Shtuar më 27/08/2007, ora 16:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori