BDI leshon Parlamentin por jo edhe Qeverine!
Albeu.com
Mosmarrëveshjet ndërmjet koalicionit BDI-VMRO DPMNE kanë detyruar partinë e Ali Ahmetit që në një farë mënyre t’i bëjë presion parterit të tij. Nga dita e hënë deputetët e BDI-së i bojkotojnë seancat e parlamentit, kurse qëndrojnë nëpër zyrat e tyre brenda objektit të kuvendit.
Deputeti Tahir Hani që është koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, nuk ka dashur të komentojë se a është larguar BDI nga parlamenti, ndërkaq deputeti Xhevat Ademi ka pohuar se ata janë larguar vetëm nga seancat parlamentare. “Ne i bojkotojmë vetëm seancat e parlamentit dhe këtë po e vazhdojmë që nga dita e hënë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ligjit të denacionalizimit. Nuk e di se si do të veprojmë në të ardhmen”, tha Ademi.

Burime brenda partisë shqiptare në pushtet theksojnë se duke pasur parasysh situatën e tanishme, në veçanti pas vrasjes së katër shqiptarëve në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit, deputetët e kësaj partie as që mendojnë të ulen në karriget e sallës ku mbahen seancat parlamentare.

Me këtë veprim BDI tregon se po e mat pulsin e partisë maqedonase duke u munduar në një farë mënyre ta “frikësojë” Gruevskin se një bojkot i ngjashëm mund t’i ndodhë edhe në nivel të qeverisë. Deri tani nuk është marrë asnjë vendim nëse do të bojkotohen edhe seancat e qeverisë dhe cilat do të jenë kushtet që do t’i kërkojë partia e Ali Ahmetit për t’u rikthyer sërish në parlament.

Edhe nga partia e kryeministrit Gruevski ende nuk kaun dhënë shenjë se mund të lëshojnë pe për ligjin e denacionalizimit.

Sipas propozimeve për ndryshim të ligjit të denacionalizimit parashihet që të ndërpritet ose të minimizohet procesi i kthimit të pronave të uzurpuara në kohën e komunizmit. Me ndryshimin eventual të këtij ligji do të pamundësohej kthimi i pronave shqiptarëve të Maqedonisë, të cilat edhe ashtu me ligjin e tashëm në fuqi janë duke u zvarritur me të madhe. Më e prekur do të jetë edhe Bashkësia Islame e Maqedonisë, të cilës nuk iu janë kthyer shumica e pronave të nacionalizuara. (lajm)
Shtuar më 13/05/2010, ora 12:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori