BDI apelon per gjakftohtesi
Albeu.com
Përmes një njoftimi, BDI thekson se dispozitat dhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit ngelet obligim dhe udhërrëfyes i të gjitha institucioneve në vend dhe garantuesve të saj ndërkombëtar, ndërkohë që popullatës shqiptare i apelon për gjakftohtësi.Në mbledhjen e fundit të Kryesisë qendrore të BDI, ku u analizua situata aktuale në Maqedoni, BDI rikonfirmoi përcaktimin për avancimin e pozicionit të shqiptarëve në Maqedoni vetëm nëpërmjet implementimit të plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.

BDI shprehet se është angazhuar që qytetarëve të Maqedonisë t’u garantohen të gjitha të drejtat, si kusht për një shtet që aspiron anëtarësimin në strukturat euro-atlantike.

“BDI fton shqiptarët që të ruajnë gjakftohtësinë, të mos bien pre e provokimeve e skenarëve që dëmtojnë proceset integruese të vendit dhe rajonit, dhe që prishin imazhin e popullit shqiptar në të gjitha trojet”, thuhet në kumtesën e BDI.

Kjo ngase, sipas BDI, qëllimi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, mund të realizohet vetëm nëpërmjet integrimeve të vendeve ku jetojnë, një mesazh ky, që sipas kryetarit Ali Ahmeti, është dërguar edhe institucionet e Shqipërisë, të Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Njëherësh, BDI i bënë thirrje garantuesve ndërkombëtar të Marrëveshjes së Ohrit që të angazhohen aktivisht në lehtësimin e dialogut politik për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Koalicioni qeverisës funksionon në bazë të marrëveshjes së ndërtuar mbi tri shtylla: integrimi i Maqedonisë në NATO, integrimi në BE dhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Vetëm përkushtimi i plotë ndaj këtyre tre prioritete është garanci për paqe të qëndrueshme, mirëbesim etnik dhe prosperitet të shoqërisë sonë”, përfundon njoftimin BDI.

Në reagimin e PPD-së thuhet se tani qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm për të mos rënë në kurthin e situatave të këtilla.

Ndërkohë BDK konsideron se incidenti i djeshëm i armatosur, si dhe zbulimi i para disa ditëve i një sasie të madhe të armëve në afërsi të Bllacës, ka krijuar një situatë me përmasa të mëdha të pasigurisë tek të gjithë shqiptarët.
Shtuar më 13/05/2010, ora 21:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori