BDI: Alfat i kontrollon Menduh Thaçi
Albeu.com
BDI i ka bërë thirrje ministres së Brendshme Gordana Jankullovska të prononcohet rreth deklaratave të kryetarit të PDSH-së Menduh Thaçi dhënë një gazetë shqiptare, se ai i kontrollon njësitin e policisë Alfa.Safet Neziri nga BDI-ja ka deklaruar se pas 1 qershorit të gjithë autorët e incidenteve parazgjedhore do të dalin para drejtësisë.

“Sa më afër vijnë zgjedhjet gjithnjë e më qartë bëhet se ne nuk kemi kundërshtar politik që të garojnë me platformë politike dhe me program parazgjedhor, por kemi PDSH- në e cila dhunon demokracinë e vendit. Por ne ua tërheqim vëmendjen të gjithë atyre që janë të manipuluar nga PDSH, të jenë të përmbajtur sepse një ditë do të përgjigjen për veprat e bëra”, tha Safet Neziri kandidat për deputet nga BDI.

Ndërkaq stomatologu Ismail Abazi thotë se pjesëtarë të njësitit Alfa, të mërkurën më 21 maj, e kanë ndalur në lagjen e Çairit me ç'rast i kanë thënë se i urren policët. Sipas Abazit, policia tre ditë me radhë e ka marrë në pyetje.

“Këto metoda janë përdorur në kohën e Stalinit këto metoda janë më të këqija se metodat staliniste andaj u apeloj të gjitha strukturave shtetërore por dhe atyre policore që të ndërpresin dhunën edhe të gjitha presionet maltretimet psiqike ndaj çdo njeriu para së gjithash nuk kanë të drejtë për maltretime të atilla”, akuzoi Abazi.

Partia e Ali Ahmetit thotë se as Alfat e Ministrisë së Brendshme nuk do t'i frikësojnë shqiptarët që më 1 qershor të dalin në zgjedhje për ta ndëshkuar politikën anti-shqiptare të PDSH-së. (Alsat)
Shtuar më 26/05/2008, ora 04:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori