Baza amerikane në Kosovë, si Guantanamo? Përgjigjja e një ish-të burgosuri: Me tuta portokallí n
Albeu.com
Një shqiptar i burgosur në bazën ushtarake të Bondstill në Kosovë tregon për mënyrën se si trajtohen të burgosurit atje.Gjatë një interviste eskluzive dhënë për NEWS 24 ai tregon se në burgun e kësaj baze në Kosovë nuk ka të huaj, edhe dy arabë që erdhën u liruan menjëherë sepse ishin funksionarë të një banke. Ndërkohë gazeta franceze Le Mond ka publikuar dje denoncimin e përfaqësuesit të të drejtave të njeriut në BE për sistemin e trajtimin të të burgosurve në bazën ushtarake të Bonstillit në Kosovë. Sipas zyrtarit të BE pas një vizite në vitin 2001 në këtë bazë në Bonstill, ka parë se disa të burgosur visheshin me unifornma portokalli të mbyllur, që zyrtari e cilëson si një Guatanamo të vogël, duke ju referuar burgut famëkeq të Kubës ku shërbimet amerikane sekrete mbajnë të izoluar qindra të dyshuar për terrorizëm pa asnjë mbrojtje ligjore. Një dëshmitar shtetas kosovar që ka qenë dy herë në bazën e Bondstillit një herë në vitin 2000 dhe një herë në vitin 2003, pranoi të sjellë këtë situatë
Në cilat vite keni qenë në burgun e Bonstillit?
Herën e parë kam qenë në vitin 2000 për 25 ditë dhe herën e dytë në 2003 për 43 ditë.
Është e vërtetë se të burgosurit atje detyroheshin të vishnin një unifrmë portokalli?
Aty që ditën e parë të japin një uniformë të burgut që është ngjyrë portokalli. Por ato jepen në të gjitha burgjet e Kosovës nuk është se jepen vetëm aty në Bonstill. Edhe në një burg normal në Kosovë nuk lejohet që të mbajne roba civile. Na jepnin një uniforme portokalli.
Si zhvillohej jeta në kamp?
Po normale që atje është një kamp ushtarak. Burgu në qendër të kampit është i ndërtuar me konteniere me kondicioner dhe me banjë brenda. Mund të rrinin 1 deri në 4 veta në një kontenier. Aty lejohej që të dilje 2 orë në ditë për ajrosje. Por varej se kur ta lejonin ata të lëvizje reth burgut. Qysh ditën që shkon, që në 24 orëshin e parë ata të marrin në dorëzim, sepse në kampin e Bonstillit mund të të çojë çdo lloj force ushtarake që vepron në Kosovë, jo vetëm amerikanët. Ata vetëm të marrin në ruajtje për interes të forcave të tjera ushtarake. 24 orëshin e parë të lejojnë të bësh një telefonatë, të marrësh edhe avokat, nëse do. Lejohet avokati, por nuk ke të drejta ligjore. Aty nuk të lejohet të bësh ankesë. Nuk bën dot ankesë në prokurori dhe as në gjykatë për sa ditë që ata të mbajnë. Mund të të mbajnë deri në 3 vjet, nëse përbën rrezikshmëri. Kur të lirojnë duhet të firmosësh një deklaratë ku të thuhet se nuk do marrësh pjesë kurrë në një organizatë ilegale, terroriste që të përbëjë rrezikshmëri për rajonin ose për vendin. Ushqimi jepej tre herë në ditë. Ata të marrin në pyetje disa herë kur të duan ditën ose natën. Mua më kanë marrë në pyetje natën nga ora 1 deri në 4.
Kush të morri në pyetje?
Herën e parë u arrestova nga forcat italiane. Ato më cuan atje. Të dytën anglezët. Duke mos pasur burg të vetin më çuan në Bonstill. Atje të marrin në pyetje të gjitha llojet e shërbimeve sekrete ushtarake që veprojnë në Kosovë, kryesisht forcat e NATO-s.
Gjatë kohës që keni qendruar aty, keni pasur mundësi të kontaktoni me forca të ndryshme të gjyqsorit?
Jo, nuk ke të drejtë. Vetëm kur të marrin në pyetje para seancës të thonë nëse e do avokatin të dëgjojë apo jo. Por kjo nuk ndryshon asgjë, sepse edhe po e more, avokati vetëm dëgjon ose mund të të sugjerojë për t’ju përgjigjur një pyetjeje ose jo. Gjë që e vendos edhe vetë. Avokati nuk ka të drejtë të ankohet vetëm është present në seancën e pyetjeve. Është një seancë gjysëm ligjore.
A mbrohen të drejtat njerëzore?
S’ka të drejta ligjore, të drejtat njerëzore mbrohen. Nuk ka keqrajtime. Mund të lexosh gazetat e Kosovës për çdo ditë. Është edhe një prift që të vjen në kamp në fillim e të ofron kuranin ose biblen çfarë feje të jesh dhe ti e ke në dorë i pranon ose jo. Mund të bësh kërkesë për shtesa në ushqim nëse s’të del. Problemi është që atje as gjykata e as prokurorët nuk kanë kompetenca. Çdo vendim është vetëm në dorën e ushtarëve, ndryshe nga burgjet e tjera në Kosovë ku pas 72 orëve nga momenti i ndalimit çështja kalon në dorën e një gjykatësi.
Ju thatë se ska keqtrajtime?
Jo. Madje kur merresh në pyetje nga forcat e tjera, qendron edhe një ushtar amerikan që nuk i lejon edhe nëse ata për një moment do të irritoheshin. Do të kishin dëshirë me të gjujt.
Keni dijeni se janë futur dhe të burgosur të tjerë që nuk janë të Kosovës po janë transferuar nga CIA?
Gjatë kohës që kam qenë unë burgu ka qenë plot me shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë. Të huaj ka pasur nja dy herë, por janë liruar shpejt. Dy arab u kapën gabimisht po u liruan se ishin frunksionarë të një banke pas 5 ditësh u liruan. S’kishin të bënin me terrorizëm. Për mua s’ka pasur të huaj.
Zyrtari i lartë i BE, e krahason kampin në Bonstill me burgun famëkeq në Kubë, si një Guatenamo. Si e komentoni këtë?
Në bazën e Bonstillin mund të bësh takime 2 herë në muaj me familjarë me kë të duash. Ata të pyesin kë do që të të vijë dhe i burgosuri jep emrin dhe ai del te dera dhe çdo person vjen e të takon. Pavarësisht lidhjeve farefisnore apo shoqërore që mund të kesh. Takimi është 30 minuta. Takon këtë duash lejohet deri në 3 veta, që i takon nëpërmjet xhamit e flet me telefon.

Dëshmia e “Le Monde”
Gazeta franceze Le Mond ka publikuar dje denoncimin e përfaqësuesit të të drejtave të njeriut në BE për sistemin e trajtimin të të burgosurve në bazën ushtarake të Bonstillit në Kosovë. Sipas zyrtarit të BE pas një vizite në vitin 2001 në këtë bazë në Bonstill, ka parë se disa të burgosur visheshin me unifornma portokalli të mbyllur, që zyrtari e cilëson si një Guatanamo të vogël

Mohimi
Ish-ministrat socialistë të qeverive të Tiranës kanë mohuar që nga amerikanët të jetë kërkuar hapja e ndonjë baze apo burgu për mbajtjen e të dyshuarve për terrorizëm

Bondstill
Baza amerikane në Kosovë është ndërtuar atje pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe në të është vendosur një burg ku qëndrojnë kosovarët e ndaluar nga ana e forcave shumëkombëshe

Deshmia
Ish-I burgosuri në Bondstill pranon se në këtë burg, por jo vetëm në të ata që mbahen të izoluar përdorin veshje ngjyrë portokalli si dhe kanë të drejtën të takohen me familjarët si dhe të kenë avokat

Hetimet
Zyrtarë të BE-së deklarojnë se do të nisin hetime në lidhje me lajmet se në disa vende të Europës Lindore ka burgje të ngjashme me ato në Guantanamo ku amerikanët mbajnë të burgosurit për terrorizëm

(Gazeta Shqiptare)
Shtuar më 27/11/2005, ora 21:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori