BATUTAT/ Hicka kërkon arrestimin e Spahos, PD: Përdhunisht?! Ia paska qejfi
Ditën e djeshme avokatja e Shtetit Alma Hicka nuk u paraqit në mbledhjen e Komisionit Hetimor të kryeruar nga PD-ja për CEZ.

Gjithashtu u mësua se Hicka ka kërkuar arrestimin në flagrantë të kryetarit të Komisionit Edmond Spaho, duke i dërguar një letër Policisë së Shtetit, në të cilin kërkonte anulimin e vendimit të Komisionit për ta sjellë atë me forcë para tij.

Avokatja e Shtetit e ka quajtur kërkesën e firmosur nga Edmond Spaho për të përdorur policinë si “shoqërim përdhunisht”. Ajo shpjegon në letrën që i ka nisur drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, pse u largua nga Komisioni në seancën e fundit.

“Gjatë seancës se kësaj date, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit i bëri me dije Komisionit Hetimor se disa nga anëtarët e tij kanë konflikt të hapur interesi me institucionin që ajo drejton. Në këto kushte, me kërkesë të nënkryetarit të Komisionit, zotit Eduard Shalsi, Komisioni me shumicën e anëtarëve të tij vendosi që Avokatja e Përgjithshme e Shtetit të mos pyetej nga Komisioni Hetimor dhe të largohej nga seanca, derisa të sqarohen rrethanat në lidhje me konfliktet e mundshme të interesit të anëtarëve të Komisionit”, thuhet në letrën e Hickës, shkruan Panorama.

ARRESTIMI I SPAHOS

Në shkresën e saj, Avokatja e Shtetit ka theksuar se urdhrat e lëshuara ndaj saj për shoqërimin me forcë janë të jashtëligjshme dhe se ajo është paraqitur para Komisionit në orarin e caktuar. Më tej, Hicka akuzon Spahon se ka falsifikuar dëshminë e saj dhe se ai duhet të arrestohet, pasi është person i rrezikshëm.

“Në rrethana të tilla, duke qenë se jemi përpara veprimeve të mirëfillta kriminale (shpërdorim detyre, falsifikim, përvetim pushteti) dhe një urdhërimi abstrakt për ngjarje që mund t’i parashikojë vetëm shtetasi Edmond Spaho, duke qenë se akti i thirrjes përdhunisht është absolutisht i pavlefshëm, kërkojmë nga autoritetet e policisë të mos veprojnë për heqjen e padrejtë të lirisë së shtetasve.

Për shkak të rrezikshmërisë së theksuar të shtetasit Edmond Spaho të marrin masa urgjente për ndërprerjen e veprimeve të dhunës nga ky shtetas, duke kryer arrestimin në flagrancë të tij. Duke qenë se veprimet e këtij shtetasi përbëjnë krime që lidhen me ushtrimin e detyrës, në dëm të lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, organet e policisë duhet të veprojnë kryesisht duke kryer arrestimin e tij në kushtet e flagrancës dhe njëkohësisht t’u përcjellin aktet organeve të hetimit”, shkruan Avokatja e Shtetit.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka njoftuar se do të depozitojë në prokurori kallëzim penal për Avokaten e Shtetit, të cilën e etiketojnë si “avokaten e aferës Rama-Gjiknuri- CEZ”. Kërkesën e saj për arrestimin e Edmond Spahos, PD-ja e quan si lajthitje, me qëllim fshehjen e “vjedhjes së shekullit”.

“Kjo lajthitje ka vetëm një shpjegim. Avokaten e Shtetit dhe shefin e saj i ka zënë tmerri. Frika nga hetimi i kësaj çështjeje, përfshirja e saj direkt në këtë aferë, ka bërë që avokatja e Edi Ramës të kryejë veprime të dëshpëruara si ky i sotmi. Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal ndaj avokates së aferës për këtë akt të rëndë që ka kryer sot”, thuhet në qëndrimin e PD-së.

Batutat/ Deputetët e PD: “Thirrja përdhunisht, ia paska pasur qejfi…”

Letra e Alma Hickës për arrestimin e Edmond Spahos është komentuar me tone humori gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor, për termin e përdorur prej saj se “kërkuan ta merrnin përdhunisht” në komision. Edmond Spaho ka thënë dje se ai ka firmosur letrën për thirrjen me polici, por shkresa është hartuar nga juristët e Kuvendit. Spaho e quajti letrën si përpjekje për të poshtëruar Komisionin.

DEBATI NË KUVEND

Edmond Spaho: Avokatja e Shtetit ankohet te drejtori i Policisë, Ervin Hodaj, për kërkesën që kemi bërë që të merret me polici. Ajo ankohet se shtetasi Edmond Spaho dhe kryetari i komisionit ka urdhëruar Policinë e Shtetit ta shoqërojë atë “përdhunisht”. (Deputet e komisionit qeshin të gjithë)

Gent Strazimiri: Ashtu shkruan, po kjo qenka e rëndë?

Eduard Shalsi (pyet Vasilika Hysin): Me vërtet përdhunisht ka thënë? (Qesh)

Edmond Spaho: Fjalën “përdhunisht” e ka shkruar në letër, ja tri herë. Mua s’më rezulton që të kemi kërkuar shoqërimin e zonjës “përdhunisht”.

Gent Strazimiri: Ja paska pas qejfi…

Edmond Spaho: Urdhrat e lëshuara nga Komisioni Hetimor janë akte individuale me synim kriminal të shtetasit Edmond Spaho.

Gent Strazimiri: Gënjen dhe vetëm gënjen…

Edmond Spaho: Veprimi i përsëritur i shtetasit Edmond Spaho përbën elementet e shpërdorimit të detyrës për shkak se me dashje dhe qëllim kriminal ka vepruar në kundërshtim me vendimet e Komisionit Hetimor, datë 10 shkurt 2017. Shtetasi Spaho ka falsifikuar dokumentet zyrtare, pasi në to ka treguar të dhëna të rreme, të kundërta me organet e Kuvendit.

Ervin Bushati: Ky paska qenë i rrezikshëm fare!

Edmond Spaho: Shoqërimi përdhunisht, thotë letra..

Ervin Bushati: Përdhunshëm apo përdhunisht?!

Edmond Spaho: Duke qenë se akti i thirrjes “përdhunisht” është i pavlefshëm, kërkojmë nga autoritetet e Policisë të mos veprojnë. Për shkak të rrezikshmërisë së theksuar të zotit Spaho, të marrin masa urgjente, duke bërë arrestimin në flagrancë të tij.

Duhet ta kisha marrë me humor këtë kërkesë, po duke qenë se zonja përfaqëson Avokaten e Shtetit, me thënë të drejtën jam tepër i trishtuar se deri ku ka degraduar shteti shqiptar. Kjo përpjekje e saj si një përpjekje për të poshtëruar Komisionin dhe si një shenjë e qartë frike për të mos deponuar dhe për të mos u përballur me faktet./albeu.com/

Shtuar më 14/02/2017, ora 12:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori