Bashkëpunimi Itali- Shqipëri- Mal i Zi, Gjosha zbulon 5 sektorët strategjikë
Ministria e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ditwn e sotme zhvilloi një takim me shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë potencialë të cilët mund të përfitojnë nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar “Itali- Shqipëri- Mal i Zi.

“Projektet e përbashkëta do të zbatohen pikërisht në sektorë ku vërtet nevojat janë të mëdha, fusha si mjedisi, konkurrenca, inovacioni, trashëgimia kulturore dhe natyrore, e transporti i qëndrueshëm”, tha Ministrja Gjosha e pranishme në këtë takim.

Ministrja theksoi se ky bashkëpunim ka dhe një tjetër dimension.

“Bashkëpunimi ndërkufitar nuk është vetëm një bashkëpunim ekonomik, është përpara së gjithash një bashkëpunim njerëzor, bashkëpunim kulturor dhe i shkëmbimit të eksperiencave për secilin nga vendet që janë pjesë e këtij programi“- tha ministrja.

Ministrja Gjosha, u shpreh se ky program do të ndikojë në sjelljen më pranë të qytetarëve tanë me vlerat europiane. Do të ndikojë në heqjen e barrierave dhe reduktojw pabarazitë midis rajoneve për të arritur një zhvillim të balancuar ekonomik, social dhe territorial.

“Unë do doja sot t’i bëja thirrje të gjithë aktorëve veçanërisht shoqërisë civile që të sjellin sa më shumë projekt propozime për t’u bërë pjesë e këtij programi”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se në ditët e sotme Europa e bashkuar ndodhet në një moment shumë të vështirë, ku skepticizmi për vlerat mbi të cilat është themeluar unioni janë gjithnjë e më në rritje.

“Ndaj programe të tilla janë thelbësore, sepse vërtet ndihmojnë në ruajtjen dhe forcimin e këtyre vlerave, shtojnë besimin e qytetarëve tek ato parime të patjetërsueshme të funksionimit të tij”, u shpreh ministrja.

Ministrja nënvizoi se bashkëpunimi mes vendeve tona, fokusuar tek ky program nuk është gjë tjetër veçse një tregues dhe një mbështetje për perspektivën e zgjerimit, e cila duhet jetë e qartë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke iu rikthyer qytetarëve eksperiencat që do të ndahen midis përfituesve të projekteve, nga ky program ndërkufitar do të karakterizohen nga diversiteti e do të shërbejnë si një tjetër vlerë e shtuar duke krijuar kështu “mënyrën europiane të të menduarit”.

“Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre të të bërit të gjërave, rritjes së standardeve në çdo fushë, apo sektor që gjeneron të ardhura dhe rritjes së kapaciteteve ne do të mund t’i afrohemi më shumë Bashkimit Europian”,- tha Gjosha./albeu.com/

Shtuar më 15/03/2017, ora 16:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori