Bashkitë e majta reagojnë për kasat fiskale
Pëlqej
Kasat fiskale
Rreth 100 drejtues të bashkive dhe komunave në vend kanë kërkuar sot nga qeveria që të mos miratohen ndryshimet në ligjin e taksave vendore. Të përfaqësuar nga drejtuesit e Shoqatës për Autonominë Vendore, bashkitë dhe komunat kanë kërkuar një takim mes drejtuesve të qeverisë dhe autoriteteve vendore.

“Të mundësohet brenda te enjtes një tryezë në nivel të lartë përfaqësimi mes qeverisë qendrore dhe përfaqësuesve të opozitës në pushtetin vendor për të diskutuar buxhetin vendor në paketën fiskale për vitin 2011”, thuhet në një nga kushtet e Shoqatës.

Në mungese të një kompromisi për këtë çështje Shoqata për Autonominë Vendore deklaron se do nis protestat.
“Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, Shoqata për Autonomi Vendore do të përshkallëzojë aksionet e protestës në mbrojtje të së drejtës dhe detyrimit të tyre për t’i shërbyer qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Shoqatës, e cila u bë pas mbledhjes së organizuar në qytetin e Pogradecit.

Në deklaratë theksohet se prej kohësh mazhoranca aktuale qeverisëse po dhunon pushtetin vendor. Sipas tyre, sulmi më i fundit i “qeverisë Berisha kundër qeverive vendore, një sulm që dhunon kushtetutën dhe autonominë vendore në Shqipëri dhe synon t’i çojë në falimentim bashkitë dhe komunat e drejtuara nga opozita”. Ata argumentojnë se projekt-ligji mbi ndryshimet në ligjin për taksat vendore, i cili po shqyrtohet aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë, synon t’u hedhë në kurriz qeverive vendore barrën financiare të korrupsionit me kasat fiskale.

“Ne njohim të drejtën e bizneseve që t’i blejnë kasat me një çmim të përballueshëm për ta dhe jemi dakord me kompensimin nga buxheti i shtetit. Nëse miratohet ky projekt-ligj, , do të rrënojë buxhetet e bashkive dhe komunave, duke ju shkaktuar atyre rreth 90% humbje në të ardhurat e veta. Në disa bashki humbjet në buxhetin vendor do të arrijnë deri në 140%”, thuhet në deklaratë.

Sipas bashkive të majta, ligji u imponon bizneseve kasa fiskale me çmimet e larta të caktuara nga kompanitë që qeveria qendrore ka licensuar arbitrarisht, dhe, nga ana tjetër, i detyron bashkitë dhe komunat të paguajnë faturën për këto kasa, duke treguar hapur lidhjen korruptive me biznesin e kasave.

“Bashkitë e komunat do të blejnë kasat për biznesin e vogël tek klientët e qeverisë Berisha. Ky është një rast flagrant ku korrupsioni që ka mbërthyer pushtetin aktual, prek drejtpërsëdrejti shërbimet që pushteti vendor u ofron qytetarëve”, thuhet në deklaratë.
Shtuar më 06/11/2010, ora 14:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori