Bashkia zhvendos themeluesin e Tiranes te vendi i banjos publike
Albeu.com
Kryeqytet pa asnjë banjo publike për qytetarët, por që nderon siç i ka hije themeluesin e tij. Busti i Sulejman Pashës, që ndërtoi bërthamën e Tiranës në vitin 1614, është zhvendosur përfundimisht nga kryqëzimi pranë pallateve 9-katëshe. Bashkia e ka parë të udhës ta pozicionojë pikërisht aty, kur për dekada me radhë kanë qenë WC-të publike. Vendimi për prishjen e tyre u mor në funksion të rehabilitimit të kësaj pjese të qytetit. Tashmë busti i Sulejman Pashës dhe ai i ushtarit të panjohur janë vetëm pak metra larg njëri-tjetrit. Argumenti kryesor për zhvendosjen e këtij monumenti, sipas Bashkisë së Tiranës, është lehtësimi i trafikut në kryqëzim. Por në fakt veç të qenurit e një figure historike për kryeqytetin, busti i Sulejman Pashës më mirë se gjithçka tjetër, për vetë pozicionin që kishte ka disiplinuar kaosin e makinave. Po të kalosh sot në kryqëzimin pranë 9- katërsheve, bllokimi në trafik është i pashmangshëm. Në sy të bie edhe diçka tjetër. Sulejman Pashë Bargjini ka humbur madhështinë e dikurshme dhe në atë gjysmë lulishten e papërfunduar, mbi themelet e banjove publike, duket sikur është vënë aty tamam nga halli. Burime nga Bashkia e Tiranës pohuan për gazetën se ndryshimi i destinacionit të këtij busti nuk i humb aspak vlerat historike. "Kjo sepse i gjithë sheshi te "Ushtari i panjohur" është zona ku Sulejman Pasha ndërtoi fillimisht një xhami e më pas një banjo turke. Pra vendosja në këtë shesh e bustit nuk ja humbet rëndësinë kësaj figure", pohojnë burimet. Por për ata që e njohin mirë Tiranën, për ata që për dekada me radhë kanë parë të shkruar mbi dy dyer llamarine fjalët "WC PUBLIKE", kjo zhvendosje tingëllon disi qesharake.

Themelimi i Tiranës

Emri i Sulejman Pashës lidhet ngushtë me themelimin e Tiranës. Në vitin 1614, Sulejman Pasha, një feudal i pasur i kohës, nga fshati Mullet, ndërtoi fillimisht një xhami dhe një hamam, që u bënë pastaj bërthama e qytetit të ardhshëm. Një nga tezat kryesore edhe për vendosjen e emrit të kryeqyteti të sotëm është se fjala Tiranë vjen nga emri i kryeqytetit të Persisë: Teheran, në kujtim të një fitoreje të korrur nga Sulejman Pashë Bargjini, në krye të ushtrisë turke, gjatë një fushate në Persi. Por ndërkaq zbulimet arkeologjike kanë dokumentuar se Tirana mendohet të ketë qenë një qendër e banuar, qysh në kohën e Ilirëve, rreth shekullit IV para Krishtit. Rrënojat e qytetit gjenden akoma sot në këmbët e malit të Dajtit, ku mendohet të ketë ekzistuar një kështjellë. Një nga burimet e emrit të Tiranës, është pikërisht emri i kështjellës, Tirkan, e cila përmendet për herë të parë në historinë e bizantinëve nga historiani Prokopius. Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë më 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet më 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.

Kush ishte Sulejman Pasha

Sulejman Pasha ishte një lord feudal dhe një gjeneral i Perandorisë Osmane. Origjina e tij ishte nga Mulleti, fshat pranë Tiranës. Ai hodhi themelet e ndërtesave të para në Tiranë. Qendra e themeluar u mbajtën nën sundimit e pasardhësve të tij, Ibrahim Bargjin Beut dhe të birit të tij Ahmet Bargjin Pashës, i cili lë pas vete katër vajza. Të katër vajzat e Ahmet Bargjin Pashës martohen me pjesëtarë të familjes së Kapllan Toptanit, i cili mori në këtë mënyrë sundimin e Tiranës në vitin 1807. Deri në këtë kohë, lagjet më të vjetra të Tiranës kanë qenë ajo e Mujos dhe e Pazarit, të ndodhura sot në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit.


Si u vendos busti i Sulejman Pashës

Nuk ka ndonjë kriter të veçantë që vendos ngritjen e një memoriali apo busti. Subjekte të ndryshme kanë të drejtë të bëjnë propozime dhe më pas kryesia e Bashkisë së Tiranës dhe komisioni i vlerësimit të figurave të qytetit e shqyrton këtë propozim, në bazë të vlerave që bart figura dhe kontributeve që ai ka dhënë. Më pas, është Këshilli Bashkiak ai që jep aprovimin, ose kundërshtimin për ngritjen e një vepre në përkujtim të ndonjë figure të propozuar. Por ka edhe vepra që bëhen me konkurs, si dhe vepra që dhurohen. Vendosja e bustit të Sulejman Pashës rreth 10 vjet më parë në kryqëzimin pranë pallateve 9 katëshe është bërë asokohe me vendim të këshillit bashkiak. Ka qenë ekzekutivi i bashkisë që ka bërë propozimin."U mendua të vendosej aty pikërisht për faktin se në atë vend ka qenë gjurma e parë e Tiranës që themeloi Sulejman Pasha", pohojnë ish-anëtarë të Këshillit Bashkiak, të cilët kanë qenë prezent kur është marrë vendimi. Sipas tyre, nuk përbën asnjë problem zhvendosja e bustit për aq kohë sa është pranë këtij vendi. (Marrë nga gazeta Panorama)
Shtuar më 25/10/2008, ora 22:02
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori