Bashkia shtron iftar për njerëzit në nevojë në mensën sociale në Kombinat
Familjet dhe njerëzit në nevojë mund ta kalojnë muajin e Ramazanit në qendrat sociale të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës është kujdesur që në muajin e sakrificës dhe solidaritetit, askujt të mos i mungojë një vakt i ngrohtë, teksa çdo mbrëmje shtron iftar për njerëzit e pamundur.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetja e PS, Blerina Gjylameti dhe dy nga këngëtaret më të dashura të muzikës shqiptare, Irma Libohova dhe Era Rusi, mbrëmjen e djeshme i shërbyen darkën e iftarit njerëzve në nevojë në mensën sociale në Kombinat.

Pasi u uroi besimtarëve agjërim të lehtë, kryebashkiaku Veliaj tha se muaji i shenjtë i Ramazanit është jo vetëm një muaj i sakrificës, por edhe i solidaritetit me më të dobëtit. “Muaji i Ramazanit është pak më i veçantë sepse është një muaj ku i shërbehet Zotit përmes një sakrifice.

Kur njeriu agjëron, nuk po refuzon vetëm ushqim për stomakun, por edhe çdo tundim, çdo të keqe, çdo mendim negativ, xhelozi, smirë, dhe unë besoj se kjo është mënyra për të na kujtuar çdo vit se sa e rëndësishme është të bëjmë një jetë dinjitoze, që solidaritetin që shprehim gjatë muajit të Ramazanit, ta kemi çdo ditë të vitit”, tha ai.

Veliaj theksoi se nëse çdo njeri i shërben njerëzve ashtu siç i shërben Zotit, do të kemi një shoqëri më të mirë. Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, në këtë muaj të Ramazanit, përveç iftarit të shtruar çdo mbrëmje në 6 mensat e sociale të hapura në tre vite, ka shpërndarë edhe ndihma ushqimore për të gjitha familjet në nevojë.

“Shumë besimtarë na janë bashkuar ose duke punuar në mensa sociale ose duke shërbyer vakte aty ku ka pasur nevojë, ose duke qenë pranë nevojtarëve. Ne kemi shpërndarë ndihma ushqimore në mbi 3500 familje, që askujt të mos i mungojnë ushqimet bazë gjatë muajit të Ramazanit. Thirrja ime është për këdo që ka mundësi të ofrojë dhe shërbejë”, shtoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se në këtë muaj të rëndësishëm për gjithë besimtarët myslimanë, duhet të ketë më shumë solidaritet mes njerëzve, sidomos me ata në nevojë.

“Shumë e rëndësishme që këtë muaj t’i kujtojmë vetes se gjithkush ka nevojë për një dorë, gjithkush ka nevojë për dikë që të mbështetet dhe të gjithë bashkë mund të jemi një ekip, mund të jemi një komunitet, që mbështetet te njëri-tjetri. Ju uroj të gjithëve: “Zoti ua pranoftë agjërimin, agjërim të lehtë” dhe Zoti bekoftë gjithsecilin që e ka zemrën e madhe”, tha Gjylameti.

Këngëtarja Irma Libohova shprehu kënaqësinë që ishte bërë pjesë e shërbesës për njerëzit që kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë. “Gjithmonë i them vetes time, zemra e gjerë ka vend për të tërë. Ndaj, urimi im për ju është: Mos mbetshi kurrë vetëm, paçi gjithmonë njerëz të mirë pranë, që ndihmojnë komunitetin në nevojë”, tha Libohova.

Ndërsa, këngëtarja Era Rusi tha se duhet angazhimi i gjithë shoqërisë, por kryesisht i të rinjve, që të përfshihen në nisma solidariteti me njerëzit në nevojë. “Dua t’u bëj thirrje gjithë të rinjve, të bëhemi sa më shumë njerëz për të ndihmuar ata në nevojë. Së bashku mund të bëjmë gjëra edhe më të mëdha, të hapim mensa të tjera sociale për të ndihmuar sa më shumë njerëz”, u shpreh Era Rusi. /albeu.com/
Shtuar më 06/06/2018, ora 13:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori