Bashkia nis ndërtimin e rrugës “Pasho Hysa”
Me një investim prej 66.7 milionë lekë, ka nisur ndërtimi i rrugës “Pasho Hysa”, me gjatësi 1 km. Gjatë inspetimin të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se kjo pjesë e qytetit ngjasonte me pjesë fshatit të prapambetur.

“Gjatë inspektimit të trajektores së rrugës “Pasho Hysa, për pak sa nuk u tundova të ftoj ish-kryetarin, për të ardhur edhe këtu dhe për të shpjeguar programin e tij për fshatin, deri sa u kujtova që jemi në qytet, në fakt në kryeqytet. Kjo pjesë e qytetit, ndonëse i ngjason në çdo parametër fshatit, madje fshatit të prapambetur, është përfituese e një prej investimeve më domethënëse të Bashkisë, rrugës “Pasho Hysa”, me një gjatësi prej 1 km e cila përshkon një ndër zonat e reja të urbanizuara, por të vjetra dhe autoktone të Tiranës. Kjo rrugë do të lidhet me rrugën “Pjetër Budi”, duke krijuar një Unazë të brendshme urbane, për banorët e kësaj zone dhe për dy minibashkitë e qytetit tonë, Njësinë Bashkiake nr.1 dhe 2” – u shpreh Basha.

Pjesë e këtij investimi do të jetë dhe ndërtimi i një ure me gjatësi 5 m dhe gjerësi 8 m. Rruga do të ketë një gjerësi prej 6 m dhe në të dy anët e rrugës është parashikuar ndërtimi i trotuareve për kalimin e këmbësorëve. Në projekt parashikohet edhe ndriçimi, gjelbërimi, ndërtimi i sistemit të ujësjellës - kanalizimeve, zëvendësimi i mureve rrethues të shtëpive me kangjella, etj. /albeu.com/
Shtuar më 16/11/2012, ora 16:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori