Bashkia ndërhyn për riparimin e semaforeve
Bashkia e Tiranës njoftoi sot se do të ndërhyjë në 14 kryqëzimet rrugore kryesore për zëvendësimin apo riparimin e semaforeve. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, znj. Nereida Hoxha ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të kryhen në kryqëzimet ku trafiku është më i madh dhe më pas do të vijohet me pika të tjera të Tiranës.

“Me fillimin e punës për implementimin e projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut, Bashkia e Tiranës brenda kësaj jave bën me dije se do të ndëhyhet në 14 nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit. Këto janë pikërisht ato kryqëzime, të cilat vuanin nga mungesa e kontrollorëve ndër vite por që kanë edhe difekte të tjera, siç mund të jenë lampadarët apo shtyllat semaforike. Për këto 14 nyje është hartuar projekti i detajuar, është marrë miratimi nga Bashkia e Tiranës dhe kontraktori do të fillojë punën për zëvendësimin e elementëve të prishur brenda kësaj jave. Kjo është vetëm faza e fillimit të kësaj pune sepse do të vazhdojmë edhe me elementët e tjerë që janë pjesë e projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut”, u shpreh ajo.
Disa nga nyjet ku ndërhyrja do të nisë gjatë kësaj jave janë: Ura Teknologjike, Liceu, Gjykata e Lartë, kryqëzimi i rrugës së Dibrës me rrugën “Bajram Curri”, stadiumi “Dinamo”, rruga “Fortuzi”, shkolla “Qemal Stafa”, kryqëzimi tek ura e Ekspozitës, kryqëzimi i rrugës “Qemal Stafa” me rrugën “Bajram Çela”, kryqëzimi i rrugës së Kavajës me rrugën “Sabaudin Gabrani”, tek Unaza e Re, kryqëzimi Unazë – “Jordan Misja”, Unazë – bulevardi “Zhan d’Ark” si dhe kryqëzimi “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe rruga “Çamëria”. /albeu.com/
Shtuar më 05/11/2012, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori