Bashkia i përgjigjet Ramës për ndërtimet tek Liqeni
Pëlqej
Bashkia e Tiranës reagoi ndaj akuyave të Partisë Socialiste
në lidhje me projektin e miratuar për ndërtimin e kullave shumëkatëshe në zonën e Liqenit Artificial.





“Për çfarë ankohet Edi Rama kur projekti i tij i mëparshëm gllabëronte hapësira publike, ndërsa i sotmi nuk cënon asnjë centimetër katror por shton 2 mijë metra katrorë hapësire publike vetëm në zonën e pishinave? Për çfarë ankohet Edi Rama, kur volumi ndërtimor i projektit të 40 katsheve të tij ishte 4 herë më i madh se projekti zhvillimor aktual?! Për çfarë ankohet Edi Rama kur projekti i tij shfrytëzonte mbi 70% të sipërfaqes totale, duke përfshirë zonën e pishinave, ndërkohë që projekti aktual shfrytëzon vetëm 40 % të truallit privat dhe kthen mbi 20 mijë metra katrorë nga prona private në hapësirë publike?! Për çfarë ankohet Edi Rama përveçse për interesa të paligjshme të tij dhe sekserëve të tij që nuk u përmbushën siç kishte planifikuar ai?!
Nëse Edi Rama vë interesat e Tiranës para interesit të tij dhe sekserëve të tij, pse betonizoi apo shndërroi në sheshe ndërtimi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte dhe hapësira të gjelbra në zemër të kryeqytetit, vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak?”, theksoi Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Nevila Xhindi.

Sipas saj, plani urbanistik i qytetit të Tiranës i dha fund epokës së betonizimit korruptiv të kryeqytetit.

“Në tre vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka shtuar 96 mijë metra katrorë gjelbërim në qendër dhe në lagjet e banimit, ka mbjellë mbi 23 145 pemë dhe dru dekorativë dhe po punon për shtimin e 300 mijë metrave katrorë gjelbërim, përmes projektit të bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës.

Ky bilanc mes të djeshmes dhe të sotmes është arsyeja e vërtetë e mllefit, bllokimit, dhe fushatës së shpifjeve që Edi Rama ka zgjedhur, për hir të interesave të tij dhe sekserëve të tij”, tha ajo.
Shtuar më 21/08/2014, ora 15:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori