Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e urës së re në fshatin Bastar i Mesëm, Njësia Zall-Bastar
Bashkia e Tiranës vijon investimet edhe në zonat rurale, duke treguar vëmendje të veçantë për përmirësimin e infrastrukturës në njësitë e reja administrative, të cilat i janë bashkuar së fundmi me reformën territoriale.

Në fshatin Bastar i Mesëm të Njësisë Administrative Zall Bastar, 22 km larg qendrës së Tiranës, ka nisur ndërtimi i një ure “bailey”, e cila do t’iu shërbejë banorëve të kësaj zone, duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe të produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt tregjeve të Tiranës. Për të inspektuar punimet ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia.

Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi si tepër të rëndësishëm ndërtimin e kësaj ure në këtë zonë, e cila prej 25 vitesh nuk kishte njohur asnjë investim nga ana e shtetit. “Për të gjithë ata banorë që kanë 25 vite që presin të lidhen me një urë me pjesën tjetër të Tiranës, ky është një lajm shumë i mirë. Ndaj, do doja shumë që të ecnim shpejt dhe të mos lejonim që kushtet atmosferike të na e pengonin këtë proces. Kemi dy investime të rëndësishme në Zall Bastar: atë që e lidh Zall Bastarin me Tiranën dhe me Zall-Dajtin, e gjithë pjesën tjetër rurale të Tiranës, sigurisht edhe fshatrat që lidhen mes tyre, ku marrin shërbimet shëndetësore”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës bëri të ditur se pas ndërtimit të kësaj ure, do të nisë puna edhe për rrugën e re, e cila do të lehtësojë edhe më tej komunikimin e banorëve të kësaj zone me pjesën tjetër të qytetit. “Dua t’i falenderoj të gjithë kolegët, të cilët janë duke punuar në kushte të vështira të motit, për të fituar kohë dhe pranvera të na gjejë me urën e përfunduar. Mandej, do të vazhdojmë edhe 3.5 km rrugë, buzë lumit, për t’u siguruar që lidhja ka ndodhur përfundimisht. Nuk do të ketë një trajtim ndryshe për ata që jetojnë në ish-Bllok dhe ata që jetojnë në Bastar të Mesëm”, tha ai.

Veliaj theksoi se mirëmenaxhimi i të ardhurave nga ana e Bashkisë së Tiranës, do të përkthehet në më shumë investime dhe punësim për qytetarët. “Do të insistojmë që Bashkia e Tiranës të ketë një buxhet demokratik, i cili shpërndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë anëtarët e familjes, pavarësisht se disa anëtarë të familjes kanë kushte më modeste ekonomike dhe fuqi të paguajnë më pak taksa se disa të tjerë. Sa më shumë taksa të mbledhim, sa më shumë e respektojmë ligjin, sa më shumë bëjmë shtet, aq më shumë ka investime, aq më shumë ka punësim, aq më shumë i rritet vlera Bashkisë së Tiranës. Ndaj, zotimi ynë si socialistë është të bëjmë shtet, të bëjmë qytet, që përkthehet në të mira materiale, në punësim dhe në jetë më të mirë për të gjithë banorët e zonës”, tha Veliaj.

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për premtimin e mbajtur, që sipas tij, ndihmon gjithë komunitetin, të cilët për shkak të izolimit nga mungesa e urës, kishin rrezikuar në disa raste edhe jetën. “Është premtim që kryetari i Bashkisë e ka bërë që në takimin e parë në Këshillin Bashkiak, ku u shprehur se qytetarët e Tiranës janë të barabartë, si ata që jetojnë në qendër, edhe ata që jetojnë në periferi. Më lejoni, zoti kryetar, që në emër të gjithë banorëve t’ju falenderoj për një premtim të mbajtur”, tha Qefalia, duke shtuar se me këtë investim, Bashkia e Tiranës hap siparin e zhvillimit edhe të gjithë zonës në tërësi.

Ura e fshatit Bastar i Mesëm ndodhet brenda territorit administrativ të Bashkisë së Tiranës, në Njësinë Administrative Zall Bastar. Ajo do të ketë kapacitet mbajtës 30 ton dhe do të jetë e pajisur edhe me sinjalistikë vertikale./albeu.com/
Shtuar më 04/02/2017, ora 12:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori