Bashkia e Tiranës rikonstrukton shkollën 9-vjeçare “Sharrë” në Kombinat
Bashkia e Tiranës investon njësoj, me të njëjtat standarde, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Një nga investimet më të reja është rikonstruksioni i shkollës 9 vjeçare ‘Sharrë’ në zonën e Kombinat, e cila ka të integruar edhe sistemin parashkollor. Falë investimit, fëmijët e kësaj zone mund të mësojnë në mjedise me parametra të njëjtë si çdo shkollë tjetër që Bashkia e Tiranës ka ndërtuar në qendër të saj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi mjediset e rikonstruktuara të shkollës, nga e cila tha se synimi është ofrimi i shërbimeve aty ku janë njerëzit. “Jam i surprizuar për transformimin që ka pësuar shkolla e Sharrës. Tirana vërtet është e madhe me 27 njësi administrative, por ndonjëherë harrojmë se ajo nuk ka vetëm pjesën urbane, por në Tiranë ka 130 fshatra si Sharra. Kemi shkolla edhe në fshatin Shkallë, pas Dajtit, vetëm për 14 nxënës. Gjithë filozofia si e qeverisë, si e bashkisë, ka qenë t’i çojmë shërbimet aty ku janë njerëzit”, tha Veliaj.

Tashmë, fëmijëve të zonës së Sharrës nuk do t’u duhet që të udhëtojnë drejt shkollave të tjera, duke humbur kohë dhe duke shpenzuar për transport. “Është e padobishme që një fëmijë të kalojë dy orë në furgon në mëngjes dhe dy orë në furgon pasdite, qoftë në Kombinat, qoftë për të zbritur më poshtë në Tiranë. Pasja e një shkolle të mirë, mësuesve, profesorëve, edukatorëve të përkushtuar këtu na ndihmon që fëmijët të hedhin rrënjë aty ku kanë familjen. Historia na ka provuar se nga vende të vogla, me njerëz ndoshta jo shumë të famshëm, kanë dalë xhevahire. Jam sot shumë i lumtur që shohim një realitet të transformuar”, deklaroi Veliaj.

Shkolla e rikonstruktuar ka të integruar edhe mjediset për ciklin parashkollor, duke plotësuar një kërkesë disavjeçare të banorëve të zonës për fëmijët e tyre. “Ajo që më lumturoi pafund, edhe si prind i ri, është fakti se këtu është edhe parashkollori, edhe kopshti, për ata fëmijë që nesër do të vazhdojnë klasën e parë dhe të dytën. Jam i bindur për shumë nëna që duan të punojnë është një bekim shumë i madh që të kenë një vend të sigurt si ky ambient, ku të lënë fëmijët e tyre, t’ia besojnë shtetit dhe bashkisë, për të vazhduar më pas punët e tyre”, tha kryebashkiaku.

Sipas tij, krahasuar me katër vite më parë, e gjithë zona e Sharrës ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. “Situata sot në Sharrë nuk është perfekte, por është si dita me natën me ç’ka qenë. Fakti që nuk del më tym nga landfilli, po që sot është i mbuluar dhe plehrat përpunohen në mënyrë jashtëzakonisht moderne; fakti që varrezat janë sistemuar, do të thotë që ka filluar një transformim”, u shpreh Veliaj, teksa premtoi investime në të 130 fshatrat e Tiranës. “Ka nevojë për më shumë transformime. Jo vetëm Sharra, por të 130 fshatrat e Tiranës kanë nevojë për ndërhyrje, ama krahasuar me katër vite ku nuk ndodhte asgjë, të paktën sot mund të themi se landfilli, varrezat dhe shkolla u bënë. Nga tre punë çdo vit, e kështu me radhë, mund të mbyllen të gjitha problemet”, tha ai.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi investimin e kryer dhe bashkëpunimin e bizneseve për të kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës së komunitetit të kësaj zone. “Do falenderoja në mënyrë të posaçme ata që e bënë të mundur investimin këtu; një investim që vjen falë një bashkëpunimi ndërmjet bizneseve të zonës, që ndërhynë në infrastrukturë, ndihmojnë edhe për të zhvilluar nëpërmjet përgjegjësisë sociale, edhe të gjithë zonën, në mënyrë të posaçme në infrastrukturën shkollore”, deklaroi Gjylameti.

Shkolla 9-vjeçare “Sharrë” është e pajisur edhe me ngrohje, ndërkohë që është bërë edhe rehabilitimi i gjithë oborrit të saj, ku janë mbjellë edhe disa pemë, duke krijuar një mjedis argëtues dhe çlodhës.
Shtuar më 15/02/2019, ora 16:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori