Bashkia e Tiranës projekt për rikualifikimin dhe shtrirjen e tarracave të gjelbra
Projekti i tarracave të gjelbra në kryeqytet do të shtrihet në ndërtesat publike dhe private, ku Bashkia e Tiranës do të jetë bashkëfinancuese.

Pas projektit të parë të realizuar në tarracën e Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit i është shtuar një tjetër tarracë e gjelbër, ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo ide do të zbatohet edhe në godina të tjera në kryeqytet.

“Shumë prej ndërtesave publike në Tiranë si ministritë, institucione varësie apo drejtori, mund të kenë një mikro-hapësirë, një lulishte në nivelin vertikal.

Sot të gjithë po flasim për pyje orbitale dhe pyje vertikale, pra si mund të ndërtojmë një oaz gjelbërimi në tarracën e secilës prej ndërtesave publike”, tha Veliaj.

Për realizimin e këtij projekti që fut edhe një kulturë të re në mënyrën e projektimit të ndërtesave, Bashkia e Tiranës po shqyrton disa propozime.

“Propozimi i parë është të vijojmë me të gjithë ndërtesat publike, çka më pas të ndiqet nga ndërtesat private. Propozimi i dytë është që tarracat e gjelbra në ndërtesat private t’i bëjmë me bashkëfinacim.

Sot fatmirësisht, GEF, Europol dhe Ekolëvizja kanë qenë bashkëfinancuesit e ndihmuesit e kësaj përpjekje, por në ndërtesat private këtë mund ta bëjmë fare mirë me fondin e komuniteteve, ku administratori i zgjedhur i pallatit vjen të aplikojë.

Ne i japim një manual se si mund të bëhet tarraca e gjelbër dhe më pas bëjmë bashkëfinancimin, 50% Bashkia dhe 50% banorët”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.

“Tarracat janë pjesë e një bashkëpronësie. Koha kur i forti i pallatit që mendon se tarraca është e vetja dhe mund të shpojë një vrimë apo të zaptojë hapësirën, ka marrë fund.

Sot ka ardhur koha që administratori, si zëdhënës i atij komuniteti, të vijë në Bashki, jo vetëm të marrë në zotërim tarracën, por edhe të zbatojë projekte të tilla”, tha Veliaj, teksa vlerësoi Fakultetin e Arkitekturës dhe të Urbanistikës që përqafuan këtë nismë.

“Nuk besoj se do kishte një vend më simbolik se sa kjo hapësirë për të vijuar pilotimin tonë me tarracat e gjelbra në Tiranë. Këtu përgatiten arkitektët dhe urbanistët e ardhshëm, ata që kanë detyrë të çojnë qytetin tonë në nivelin tjetër të mirëqenies.

Tirana është një qytet që rritet çdo vit me 30 mijë banorë, që çdo vit ka nevojë për 6-7 mijë apartamente, që shtohet numri i makinave.
Por, nëse ka vullnet, ka edhe zgjidhje për shumë prej këtyre problematikave”, vijoi kryebashkiaku. Veliaj tha se rritja është gjithmonë sfidë, por edhe një mundësi zhvillimi, ndërsa u shpreh optimist për realizimin e praktikave të punës nga studentët e këtij fakulteti në Bashkinë e Tiranës.

Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe kompanitë private që u bënë pjesë e kësaj nisme dhe shprehu bindjen se ky është vetëm fillimi.

“Ne kurorëzojmë me sukses një bashkëpunim shumë të rëndësishëm midis Universitetit Politeknik, Fakultetit të Arkitekturës dhe Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me kompanitë e njohura shqiptare, për të parë të realizuar sot këtë tarracë të gjelbëruar.

Është një mundësi shumë e mirë që bashkia, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, të krijojë lidhje të ngushta, jo vetëm me stafin akademik, por edhe me studentët, për të gjetur këtu specialistët e ardhshëm të saj”, tha Maliqari.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Florian Nepravishta, u shpreh se projekti i realizuar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të jetë një nga udhërrëfyesit në të ardhmen edhe për projektimin e godinave të banimit.

Për rikualifikimin e tarracës së gjelbër tek Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës dhanë një kontribut të rëndësishëm edhe GEF/UNDP, Eurocol, Ekolëvizja dhe Universiteti Politeknik i Tiranës. /albeu.com/
Shtuar më 18/04/2018, ora 14:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori