Bashkia e Tiranës nis punën për ndërtimin e dy rrugëve të reja te "Depoja e Ujit" në Njësinë 2
Zona e “Depos së Ujit” në Njësinë Nr.2 në kryeqytet i bashkohet qytetit me infrastrukturë urbane.

Banorët e kësaj lagje do të kenë shumë shpejt rrugë të reja e me standarde, të cilat përfshijnë kanalizime, shtrim rrjeti të telefonisë dhe ndriçim. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e dy rrugëve të reja që të çojnë në këtë zonë, të cilat vijnë si zgjatim i rrugëve “Budi” dhe “Mihal Grameno”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa inspektoi punimet, theksoi se puna në këtë zonë është dëshmi e faktit se transformimi i Tiranës nuk vjen nga fushatat elektorale, por nga nevoja e qytetarëve dhe vizioni për ta bërë Tiranën njësoj të jetueshme, si në qendër, edhe në periferi.

“Jam shumë i lumtur që në Njësinë 2 po vlon puna. Siç e kisha premtuar, ka fushatë, s’ka fushatë, ka zgjedhje, s’ka zgjedhje, ka pushime, s’ka pushime, do t’i japim forca që të përdorim çdo ditë të verës për punët e Tiranës.

Ndaj, më vjen mirë që për dy damarë kryesorë të të gjithë kësaj zone periferike të Tiranës, rruga “Budi” dhe rruga “Mihal Grameno”, skajet e tyre fundore, kemi filluar ndërtimin e rrugëve të reja.

Kështu që, për të gjithë ata që mendojnë se disa gjëra bëhen për fushatë, kjo është prova direkte se kemi rreth 800 ditë në Bashkinë e Tiranës që punojmë çdo ditë. Pra, me energjinë, me intensitetin dhe me produktivitetin që njerëzit zakonisht e shohin vetëm në fushatë, por për ne kjo është motoja e punës së përditshme”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës ka parë me prioritet investimet që sjellin urbanizim në ato zona ku më parë është bërë procesi i legalizimeve, ashtu si edhe në këtë zonë të zhvilluar gjatë viteve të transizionit. “Kjo është një periferi ekstreme e Njësisë nr. 2, ish-lagja ime e vjetër, sepse Tirana deri diku mbaronte te Depoja e Ujit.

Ajo ishte kufiri midis Tiranës urbane dhe fundit të jetës urbane. Sot, në fakt, Depoja e Ujit është në mes të një lagje me shumë banorë, njerëz të ardhur në vitet ‘90-2000, që kanë ndërtuar shtëpinë e tyre me djersë e mund, por që merr ketë vlerë vetëm po të ndodhin dy gjëra: qeveria po bën legalizimet, ndërkohë bashkia ndihmon me urbanizimin.

Urbanizim do të thotë të të vijë rruga, uji, ndriçimi, gjelbërimi, kopshti, çerdhja etj”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e banorëve për problemet që mund të shkaktohet gjatë punimeve, si me trafikun, ashtu edhe me zhurmat e makinerive të rënda, ndërsa bëri të ditur se bashkia do të shfrytëzojë kohën e verës për të punuar, kur edhe Tirana ka më pak lëvizje dhe shkollat janë pushim.

“U kërkoj ndjesë banorëve, që teksa bëjmë disa punime që kërkojnë mjete të rënda, të tregojnë edhe ata kujdes gjatë kohës që lëvizin në këtë territor. Do mundohemi ta mbarojmë përpara afatit 6-mujor, siç kemi mbaruar çdo punë tjetër para afatit. Jam i bindur se historia e suksesit do përsëritet edhe këtu. Sa herë që ka investim të bashkisë kemi një shans fantastik për të rritur vlerën e pronës, edhe të gjithë aseteve që janë në këtë komunitet”, u shpreh Veliaj.
Shtuar më 01/07/2017, ora 12:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori