Bashkia e Tiranës dhe BERZH, bashkëpunim për krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme
Bashkia e Tiranës dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kanë vendosur të bashkëpunojnë për të përmirësuar infrastrukturën bashkiake, për ta bërë kryeqytetin shqiptar më miqësor me mjedisin dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.

Memorandumi i Mirëkuptimit (MiM) u nënshkrua sot në Tiranë nga Zëvendës Presidenti i Parë i BERZH, Phil Bennett dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përmes MiM, palët rendisin fushat strategjike të bashkëpunimit siç janë transporti urban, infrastruktura e rrugëve urbane, uji dhe shërbimet e ujërave të zeza, mbetjet e ngurta, ndriçimi i rrugëve dhe përmirësimi i përgjithshëm i efikasitetit të energjisë.

Krahas kësaj, BERZH dhe Bashkia do të punojnë për krijimin e një plani veprimi, me qëllim adresimin e sfidave që vijnë nga ndryshimet klimaterike globale. Zëvendës Presidenti i Parë i BERZH, Phil Bennett tha: “Ne besojmë se infrastruktura e qëndrueshme bashkiake, është parakusht për një zhvillim urban miqësor me mjedisin, i cili është në zemër të nismës tonë, Ekonomia e Gjelbër.

Në bashkëpunim më qytetin e Tiranës ne kemi identifikuar fushat kyçe ku BERZH mund të ofrojë ekspertizën e saj për një zbatim efektiv dhe të qëndrueshëm të projekteve bashkiake. Ne e mbështesim fuqimisht iniciativën e Tiranës për t’u kthyer në një kryeqytet të gjelbër”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shtoi: “Ky është një hap shumë i rëndësishëm për qytetin tonë. Në jemi të lumtur që kemi mbështetjen e BERZH në këtë nismë të rëndësishme.

Zbatimi i projekteve të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të besueshëm bashkiak, që do të nxitë rritjen ekonomike të kryeqytetit, do të përmirësojë kushtet e jetesës për shumë qytetarë të Tiranës dhe do të shënojë një kontribut pozitiv në Ekonominë e Gjelbër”.

Në veçanti, BERZH do të mbështesë përgatitjen e projekteve, zhvillimin institucional dhe trajnimin, asistencën në zbatimin e projekteve dhe prokurimeve si dhe auditimet e energjisë me qëllim vlerësimin e efikasitetit të energjisë në ndriçimin e rrugëve dhe ndërtesave në kryeqytetin shqiptar.

Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar 1 miliardë euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. /albeu.com/
Shtuar më 03/12/2015, ora 14:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori