COVID-19 mori 7 500 jetë më shumë, shifrat e INSTAT zbulojnë realitetin e koronavirusit në Shqipëri (FOTO LAJM)

INSTAT ka publikuar të dhënat demografike në lidhje me tremujorin e dytë, të cilat në radhë të parë pasqyrojnë problemin e madh që kemi me shpopullimin e zonave të tëra dhe mbledhjen e qytetarëve vetëm në Tiranë. Por, krahas kësaj, shifrat e INSTAT konfirmojnë tashmë goditjen e fortë që i dha pandemia Shqipërisë në lidhje me humbjen e jetëve përgjatë periudhës tetor 2020-mars 2021.

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të dytë të 2021, në Shqipëri humbën jetën 5 777 persona.

Edhe pse me një rritje prej 7.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo shifër është pranë treguesve normal të vdekshmërisë për këtë periudhë të vitit. Megjithatë, këtu duhet marrë në konsideratë edhe efekti i pandemisë, edhe pse jo goditja më e fortë erdhi më pas.

Gjatë tremujorit të dytë 2020, në Shqipëri humbën jetën rreth 5 400 persona.

Por, tragjedia nis në tetor 2020 dhe duket sikur treguesit normalizohen në gjysmën e dytë të këtij viti.

Çfarë ndodhi?

Abcnews.al bëri një krahasim të të dhënave duke iu referuar statistikave të INSTAT. Vdekjet rriten në mënyrë të beftë nga 5 421 që ishin në tremujorin e katërt 2019, në 9 397 në të njëjtën periudhë të vitit 2020. Bëhet fjalë për një rritje me 3 976 persona vetëm gjatë periudhës tetor-dhjetor 2020.Vdekjet gjate tremujoreve sipas INSTAT

Situata është e ngjashme edhe në tremujorin e parë 2021, ku sipas INSTAT ndërruan jetë 9 657 persona, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2020 kjo shifër shënonte 6 126, me një rritje prej 3 531 personash.

Në total, përgjatë periudhës tetor 2020-mars 2021, numri i të vdekurve jashtë treguesve normal përllogaritet të jetë 7 507 persona.

Gjatë kësaj periudhe nuk ka ndodhur ndonjë fatkeqësi natyrore që të shkaktojnë një numër kaq të madh të vdekurish, ç’ka tregon se këta persona të kenë ndërruar jetë për shkak të pandemisë./Abcnews.al