Bashkia angazhon 1260 persona për të administruar situatën prej reshjeve
Për të administruar situatën e shkaktuar nga reshjet e shiut, Bashkia e Tiranës ka angazhuar 1260 veta në terren. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, gjatë inspektimit të punës që po kryhet nga punonjësit e ndërmarrjeve, tha se situata në qytet është e stabilizuar.

“Prej masave të marra gjatë gjithë javëve të shkuara, situata në qytet është e stabilizuar. Ndërkohë që situata është problematike në dy lumenjtë, lumi Tirana dhe Lana, të cilat janë pothuajse në limitet maksimale të tyre përthithëse dhe që për rrjedhojë kanë sjellë që edhe kolektorët që shkarkojnë në to ujin e qytetit të kenë probleme në shkarkimin e tyre”, deklaroi Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, tha se situata pritet të vijojë të jetë me reshje të dendura, çka mund të krijojë probleme në orët në vijim.

“Ndaj, u ribëjmë thirrje qytetarëve që të limitojnë lëvizjet në orët në vijim dhe veçanërisht ata që gjenden në zonat pranë lumenjve të kenë vëmendjen, dhe të lajmërojnë në çdo moment administratorët e njësive përkatëse ose trupat e Bashkisë që tashmë gjenden në terren.

Kemi mbi 1260 vetë në terren në të gjithë qytetin që janë duke punuar. Në 24 njësitë administrative kemi njerëz që po marrin kontakt të vazhdueshëm me çdo qytetar, në zonat më problematike”, u shpreh Mazniku.

Interesimit të medias se nëse ka pasur nevojë për evakuime, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tha se është ndërhyrë në disa njësi administrative për disa familje.

“Ka pasur nevojë për evakuime, por në numra të vegjël. Ndërhyrjet kanë qenë në Njësinë 4, pranë lumit dhe disa njerëz në Njësinë 6. Pra numri deri tani është në nivelin e 20 familjeve”, tha Mazniku.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës është veçanërisht në gatishmëri pranë lumenjve, te njësitë nr. 4 dhe 1, për të parë që nëse do të ketë nevojë për evakuime të tjera që t’i bëjnë ato në momentin më të shpejtë.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ka theksuar se prej sasisë së madhe të reshjeve, janë shfaqur problematika me dy lumenjtë.

“Lumi i Lanës dhe i Tiranës, të dy së bashku janë lumenjtë të cilët evakuojnë ujin nga më shumë se 1400 kilometra katrorë të qytetit dhe dy kanalet kryesore të evakuimeve të ujërave. Sasia dhe volumi i reshjeve në një kohë të shkurtër, sigurisht ka të bëjë edhe me nevojën për më shumë mirëmbajtje në këto dy lumenj”, përfundoi Mazniku. /albeu.com/
Shtuar më 06/01/2016, ora 15:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori