Bashkeqeverisje e jo asistence
Albeu.com
Në shumë ministri kyçe në këtë mandat qeveritar, shqiptarët nuk mbajnë poste kyçe. Ndër to janë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe disa ministri tjera. Madje në këto resorë nuk ka as zëvendësministra shqiptarë të cilët sadopak do të ndikonin në avancimin dhe përmirësimin e statusit të shqiptarëve. Ky “boshllëk” shqetësues në këto dikastere do të ndikojë dukshëm në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, sa i përket përfaqësimit adekuat të shqiptarëve.
Sipas analistëve praktika e deritanishme ka dëshmuar se aty ku nuk ka pasur ministra shqiptarë përfaqësimi i shqiptarëve ose ka ngecur ose është i dobët. Analistët vlerësojnë se partia shqiptare duhet të bashkëqeverisë me partinë maqedonase në pushtet e jo të jetë vetëm asistent i saj.
Analisti politik Kim Mehmeti thotë se problemi është më i thellë se sa të shihet vetëm nga këndëvështrimi se me cilat resore të rëndësishme udhëheqin shqiptarët.
“Shqiptarët thuaj se nuk janë në qeveri, thuajse nuk i ke dhe ndjehet forca e VMRO-DPMNE-së e cila e ka mbuluar partinë shqiptare dhe ndjehet edhe ajo se edhe ato që janë nuk kanë ndonjë influencë”, thotë për “Lajm”, Mehmeti.
Ai potencon se ende qëndron në bindjen e tij se partitë shqiptare nuk duhet të marrin pjesë fare në qeveri përderisa është kështu. “Derisa partitë shqiptare janë asistues të partisë maqedonase ato nuk janë partnerë të barabartë me partinë maqedonase dhe si të tilla dobia e tyre shndërrohet vetëm në punësimin e disa shqiptarëve dhe me këtë merr fund. Nëse kjo është qeverisje unë atë qeverisje të tillë shqiptare nuk e dua”, vlerëson analisti politik Kim Mehmeti. Sipas tij, ky lloj i qeverisjes vazhdon që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më sot.
Analisti politik Rizvan Sulejmani thotë se është normale që njeriu i parë në një ministri ka ndikim të madh por ajo nuk duhet të jetë mënyrë e qeverisjes. Sipas tij, qeveria nuk duhet të jetë e orientuar në baza klienteliste, por në parime.
“Realiteti është se punohet në mënyrë klienteliste. Prej vitit 2006 por edhe më herët është imponuar një filozofi e qeverisjes harmonike siç e quajnë, që do të thotë se partnerët e koalicionit paraprakisht duhet t’i kenë harmonizuar projektet dhe programet dhe jo veprimet klienteliste”, thotë për “Lajm”, Sulejmani. Ai thekson se të gjitha specifikat dëshmojnë se ato poste të cilat kanë qenë të udhëhequra nga ministrat shqiptarë ka përfaqësim më të mirë. Përvoja, shton ai, tregon se ku ka presione dhe ndikime politike kjo situatë është më e mirë.
Ndryshe, në mandatin e vitit 2002-2006 Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i cili ishte në koalicion me LSDM-në ka pasur kuadro të saj në 90 për qind të ministrive, duke filluar nga ministra, zëvendësministra dhe sekretarë shtetërorë.
nga Bekim Buçi, Lajm
Shtuar më 22/10/2008, ora 18:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori