Bashkëpunim Kosovë-Shqipëri në infrastrukturë
Rritja e bashkëpunimit në infrastrukturë ka qenë në fokus të bisedimeve që ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar sot me homologun e tij kosovar Lutfi Zharku. Dy ministrat vunë theksin mbi nevojën e intensifikimit të punës për çështjet konkrete të marrëveshjes midis dy institucioneve të firmosur një vit më parë në Prizren.

Haxhinasto e informoi homologun Kosovar për projektin e zgjerimit të rrugës dhe të pikave të kontrollit doganor në Doganën e Morinës, i cili do të lehtësojë shumë shërbimet për udhëtarët dhe bizneset në këtë pikë me aktivitet të dendur.

Ministrat u angazhuan më tej për të gjetur mundësi financiare për studimin e fizibilitetit për lidhjen hekurudhore mes dy vendeve. Çështjet e integrimit, veçanërisht përafrimi i legjislacionit dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat rajonale të transportit, ishin gjithashtu pjesë e axhendës së përbashkët.

Duke folur për projekte të përbashkëta, Ministri Haxhinasto u ndal tek Rruga e Kombit si aset i përbashkët, për të cilën ka nevojë të koordinohen përpjekjet për një aktivitet ekonomik më të dendur, lidhur kjo edhe me ofrimin e lehtësive në portet e vendit për biznesin kosovar.

Në përfundim të takimit, Ministri Haxhinasto prezantoi homologun me zhvillimet më të fundit në sektorin e transportit ajror dhe mundësitë e aktivizimit të Aeroportit të Kukësit. /albeu.com/
Shtuar më 26/01/2015, ora 16:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori