Basha zbulon qëllimin e protestës: Duam qeveri teknike! (VIDEO)
Sot është dita e dytë e protestës së opozitës e drejtuar nga Partia Demokratike.

Me qindra qytetarë gjenden të ngujuar para kryeministrisë dhe mësohet se pritet të vijnë edhe të tjerë protestues nga rrethet.

Përpara kryeministrisë në tendën e ngritur nga Partia Demokratike ka marrë fjalën kryetari i demokratëve Basha i cili bëri thirrje për qëndresë të protestuesve deri ditën ku qeveria Rama-Meta të bie.

Basha theksoi se vendi ka nevojë për një qeveri teknike pasi besueshmëria e popullit ndaj këtij koalicioni ka rënë.

Basha u shpreh i lumtur pasi sipas tij në shesh për të protestuar janë mbledhur qytetarët nga e gjithë Shqipëria si kurrë më parë.

Kryetari i demokratëve nuk kurseu as akuzat ndaj qeverisë ku sipas tij kjo qeveri ka braktisur njerëzit dhe si ka lejuar për asnjë moment të shprehin hallet dhe problemet e tyre.

Basha deklaroi se kjo protestë ka në dorë fatin e shqipëtarëve dhe për këtë arsye sipas tij nuk duhet të heqin dorë.

FJALA E PLOTE

“Këtë shesh e keni pagëzuar dje si sheshin e lirisë dhe demokracisë, shpresës. Konsensusi qytetar po rritet nga momenti në moment. Mbështetja nga ndërkombëtarët po rritet nga momenti në moment. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje dhe një qeveri teknike.

Fitorja do të jetë fitorja juaj, fitore e çdo shqiptare. Nuk jemi mbledhur këtu për kauzën e Bashës apo PD-së, por për kauzën e çdo shqiptari të ndershëm. Kjo i ka dhënë kauzës sonë një forcë të papërballueshme”, tha Basha.

Kreu i PD-së e quajti çadrën e mbushur me protestues një hapësirë lirie dhe demokracie. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ngritur fasada por se pas fshihet rrëmujë, kaos dhe varfëri.

“Ku jemi sot këtu, jemi në hapësirën e parë të lirisë së re që po vjen, të demokracisë së standardit europian, ku qytetarët nuk kanë frikë të thonë të vërtetën. Ky është sheshi nga ku nisim projektin e jetës sonë, demokracinë dhe fitoren e çdo qytetari. Përballë nesh kemi një fasadë, një fasadë nga mjeshtri i fasadave, i cili gjithë jetën e tij është shquar për fasada. Fasada dhe bojë përpara, rrëmujë kaos dhe varfëri nga prapa. Ky ka qenë realiteti i fasadave të shpëlara dhe të dala boje. Në këto 4 vite ka ndërtuar një parlament fasadë, një demokraci fasadë. Një parlament fasadë i cili nuk përfaqëson popullin shqiptar”, tha Basha./albeu.com/
Shtuar më 19/02/2017, ora 13:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori