Të lësh Shqipërinë për… Vietnamin, historia unike e mësueses shqiptare

Dajana Hoxhaj është një mësuese e anglishtes që la Shqipërinë për Vietnamin.

Në një lidhje me Skype për “ABC”, ajo tregoi të gjitha vështirësitë e fillimit, që në momentin që vendosi të shpërngulej deri te jetesa aty.

“Unë kam mbaruar për informatikë-ekonomike në universitetin “Epoka”, kur u diplomova mendova të bëja diçka shtesë.

Nuk doja të filloja një punë në zyrë apo në bankë që do të ishte stresuese për mua. Kështu që isha duke krijuar intership.

Fillova të kërkoja dhe zbulova që kërkonin për të dhënë mësim në gjuhën angleze. Fillova të aplikoja për në Vietnam, edhe nuk e dija se çfarë më priste.

Sigurisht që kisha bërë kërkimet e mia, isha informuar për vendin, edhe punëdhënien. Por që konkretisht nuk njihja asnjë njëri që jetonte këtu. Gjithsesi unë aplikova dhe ju them prindërve, që do iki në Vietnam”, tha ajo.

Më tej, Dajana theksoi se dashuria e fëmijëve e ka bërë ta dojë edhe më shumë atë vend.

“Ajo ç’ka më ka bërë mua vërtetë të dashurohem me këtë vend janë fëmijët dhe nxënësit e mi. Dashuria që marr prej tyre është shumë e veçantë, shumë e pastër. Nuk e mendoja kurrë që këta fëmijë që unë nuk kisha asnjë lidhje gjaku të më donin kaq shumë.

Ata janë gjithë kohën duke më përqafuar mua, duke më thënë se më duan, duke luajtur me flokët e mi. Këta fëmijë  vërtetë ma zbukurojnë ditën këtu në Vietnam dhe ma kanë bërë jetën time dhe mësimin me Vietnamin shumë më të thjeshtë”, tregon ajo.