Basha uron për vitin e ri shkollor: Shkollat e rikonstruktuara me ambiente moderne
Pëlqej
Me nisjen e vitit të ri shkollor, për të gjithë nxënësit dhe mësuesit një urim është përcjellë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Nga shkolla “Eqerem Çabej”, ai u shpreh se tashmë nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin në ambiente moderne, pas rikonstruktimit të shkollës.

“Vi me një kënaqësi të veçantë ditën kur rinis shkolla, pas pushimeve të verës. E di që shumica kanë ardhur me dëshirë të madhe dhe mall, pas shkëputjes dhe shpresoj që kjo dëshirë e madhe për të filluar shkollën t’iu zmadhohet edhe më shumë, se ju jeni një ndër shkollat që janë rikonstruktuar me laborator të rinj.

Mbi të gjitha, me një përkushtim të ri apo të rinovuar për përgjegjësinë tuaj kryesore, atë të nxënies, mësimit që e keni para vetes suaj dhe për veten tuaj, për familjen dhe qytetin ku jetoni që sytë i kanë te ju, te brezi i ri.

Duke ndarë me ju kënaqësinë e madhe, ju uroj nga zemra suksese, një vit të mbarë dhe nderoni veten tuaj, familjen tuaj edhe emrin e këtij gjimnazi me rezultatet tuaja”, tha Basha.

Për nisjen e vitit të ri shkollor 2014-2015, rreth 540 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm u ulën sot në bankat e shkollës. Për herë të parë, në bankat e shkollës u ulën 32 mijë fëmijë. /albeu.com/

Shtuar më 15/09/2014, ora 09:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori