Basha, uron nxënësit për vitin e ri shkollor
Kryebashkiaku Lulzim Basha u ka uruar një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë nxënësve të kryeqytetit që nisën vitin e ri shkollor. Urimin e tij zoti Basha e përcolli sot nga gjimnazi “Sami Frashëri” shkollë në të cilën ka mësuar edhe vetë. Krahas urimit kryebashkiaku Basha ka shprehur angazhimin e tij për të vendosur standardin europian në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Tiranës.



“Jam kthyer me kënaqësi të madhe në gjimnazin ku kam studiuar vetë, një nga gjimnazet më të njohura në historinë e arsimit shqiptar dhe më të mira, gjimnazin “Sami Frashëri”. Me këtë rast dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të këtij gjimnazi, trupës pedagogjike, drejtoreshës, një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Sikundër dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, nxënësve anembanë Shqipërisë, prindërve të tyre, një vit të mbarë dhe të suksesshëm arsimor. Bashkia e Tiranës edhe këtë vit ka marrë masat për të hedhur një tjetër hap cilësor në raport me infrastrukturën arsimore.



Natyrisht nevojat vijnë gjithmonë e në rritje, edhe për faktin sepse numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare edhe të mesme, sikundër në kopshte dhe çerdhe ka ardhur duke u rritur edhe për faktin se është vetë natyra jonë që të kërkojmë standarde më të larta vit pas viti, natyrisht duke u matur me objektivin tonë të standardit europian në shkolla. Në këtë drejtim Bashkia e Tiranës po investon si për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, meremetimin e atyre ekzistuese, dhe pajisjen me infrastrukturën e plotë me palestra, me kabinete, me laboratorë dhe aktualisht po investohet dhe do të investohet në ndërtimin e 9 palestrave të reja anembanë qytetit të Tiranës dhe 25 laboratorëve, për të bërë të mundur pra një cilësi më të lartë në mësimdhënie. Edhe një herë nga zemra dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, të shkollave 9-vjeçare, të shkollave të mesme, si dhe vogëlushëve nëpër çerdhe dhe kopshte: Vit të mbarë arsimor! I njëjti urim vlen edhe për prindërit e tyre’" - u shpreh z. Basha.



Me buxhetin e vitit 2012 Bashkia e Tiranës ka realizuar dhe ka në proces rikonstruksionin e 8 kopshteve dhe ndёrtimin e 4 kopshteve të rinj, rikonstruksionin e 6 shkollave 9-vjeçare dhe ndёrtimin e 4 shkollave tё reja, rikonstruksionin e 2 shkollave tё mesme dhe ndërtimin e 1 shkolle tё re. Do tё ndёrtohen 9 palestra tё reja dhe do tё rikonstruktohen ato ekzistuese. Do tё shtohen 25 laboratorё tё rinj. Do të instalohet sistemi i ngrohjes në 20 objektet që rikonstruktohen dhe në 9 objektet e reja që do të ndërtohen. Në buxhetin afatmesëm 2013–2015, parashikohet rikonstruksioni i 4 kopshteve dhe ndёrtimi i 6 të rinjve (kopësht i integruar), rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare dhe ndёrtimi i 3 objekteve tё reja, rikonstruksioni i 1 shkolle tё mesme dhe ndёrtimi i 2 objekteve tё reja, do tё ndёrtohen 5 palestra tё reja dhe do tё shtohen 34 laboratorё tё rinj. Instalimi i sistemit të ngrohjes do të realizohet në 15 objektet që rikonstruktohen dhe në 10 objektet e reja që do të ndërtohen.
Shtuar më 16/09/2013, ora 12:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori