Basha takohet në Berlin me drejtues të lartë të Bundestagut, fokus integrimi i Shqipërisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon vizitën e punës në Berlin. Gjatë ditë së sotme, Basha zhvilloi takim të zgjeruar dhe më pas një drekë pune me disa nga drejtuesit më të lartë të Bundestagut gjerman, përfshi Kryetarin e Çështjeve Europiane Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Energjisë Andreas G. Lämmel, Kryetarin e Komisionit për Parandalimin e Krizave Thorsten Frei, si dhe Këshilltarin Politik të shumicës parlamentare CDU-CSU Hans-Joachim Falenski.

Tema kryesore e bisedimeve ishte plotësimi i kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Politikanët e lartë gjermanë ripohuan qëndrimin e qartë të Bundestagut se ata presin veprime konkrete dhe rezultate të qarta në luftën kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Basha u shpreh se këto prioritete janë në vetvete jetike jo thjesht për integrimin por për fatin e qytetarëve shqiptarë të cilët po detyrohen ta kërkojnë të ardhmen duke migruar.
Basha u pohoi zyrtarëve gjermanë se ka ardhur koha që Shqipëria të kapërcejë ciklin e krizave dhe dështimeve të përsëritura dhe të hyjë në një kurs normal zhvillimi që do ta kthejë atë në një vend të denjë evropian.

Basha theksoi se hapi i parë në këtë rrugë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Parlamentarët gjermanë rishprehën edhe një herë mbështetjen e tyre të pandryshuar për zhvillimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Ata theksuan pritshmërinë e tyre se Shqipëria do të përqafojë sa më shpejt rrugën e ndryshimeve.

Kryetari i Partisë Demokratike u prit edhe në Kancelarinë Federale nga drejtuesi i Grupit 21 për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë Globale, Joachim Bertele, z.Knut Abraham përgjegjës për Europën Juglindore dhe z.Mathias Luttenberg, përgjegjës për procesin e Berlinit. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme Gjermane Zoti Basha u takua me Christian Hellbach, Drejtor për Europën Juglindore.

Në këto takime, Basha theksoi rëndësinë që kanë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, zgjedhjet e lira e të ndershme. Ai i njohu zyrtarët gjermanë me alternativën e opozitës për zhvillimin e vendit, veçanërisht për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ofrimit të kushteve dhe sigurisë për investitorët e huaj./albeu.com/
Shtuar më 28/01/2017, ora 11:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori