Zbulohen 3 laboratorë droge në veri të Kosovës, dy serbë në pranga

Dy serbë janë arrestuar dhe janë zbuluar tre laboratorë droge në veri të Kosovës, bëri të ditur Policia e Kosovës më 12 shkurt.

Policia tha se të dielën realizojë operacionin antidrogë të koduar “Shpata” në tri lokacione në rajonin e Mitrovicës veri, pa specifikuar se në cilat vende konkretisht është realizuar ky operacion.

Sipas njoftimit, gjatë operacionit policorë janë zbuluar tre laboratorë me bimë narkotike, në dy prej të cilëve u gjetën rreth 1.200 bimë narkotike, ndërsa te njëri nuk kishte bimë narkotike, por pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre, tha Policia.

“Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj serbë, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës kishte realizuar operacione kundër drogës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në majin e vitit të kaluar, Policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë.

Po ashtu, në prill ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë. /REL


Shtuar 12.02.2023 17:18