Basha synon kthimin e Bamir Topit në PD
Atë që nuk mundi të bëjë Berisha në prag të zgjedhjeve parlamentare, po përpiqet ta bëjë Basha. Burime nga PD bëjnë të ditur se kreu i PD, së fundmi ka rritur takimet intensive me kreun e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, për të bërë të mundur afrimin e tij në PD, shkruan Sot.

Takimet e tyre janë nxitur nëpërmjet disa biznesmenëve të përbashkët, të cilët i duan bashkë Bashën dhe Topin. Në fakt, Basha dhe Topi më herët kanë pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por konfliktet me kryeministrin në ikje i ftohën politikisht.

Veç të njohurve të tij dhe të Berishës me lidhje të afërta biznesi e familjare, synimi i Bashës nga ana tjetër është që të afrojë në PD figura të “vjetra” në PD, si Bamir Topi e Eduard Selami dhe të nxjerrë jashtë loje figurat të tjera si Olldashi, Topalli, Bode, e gjithë klanin e tyre.

FRD arriti të merrte 33 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit, që nuk u përkthyen dot në mandate, por që në një sistem proporcional kombëtar e nxirrte me të paktën 3 deputetë.

Që pas takimit të gushtit të Topit me Bashën, në të dyja partitë janë forcuar edhe më tepër zërat për afrim mes Bashës dhe Topit. E në rast se kjo do të ndodhë, atëherë kjo do t’i shërbejë jo vetëm kreut të FRD, por edhe për disa figurave të tjera të kësaj force. Emra të njohur si, Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj por edhe figura të tjera të dala nga radhët e PD, të cilët ju bashkuan FRD, pritet të shkojnë pas Topit, nëse ai afrohet me PD.

/albeu.com/
Shtuar më 03/09/2013, ora 13:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori